Secondary Adv

Administrata publike shtysë për rritjen e pagës mesatare me 11.7 për qind në 3 mujorin e dytë

Rritja e pagave në administratën publike ndikoi ritmet mesatare të pagës bruto në të gjithë ekonominë edhe në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT gjatë tremujorit të prill-qershor 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 83.906 lekë, me një rritje prej 11,7%, krahasuar me tremujorin e dytë 2024 dhe 2% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025.

 

Aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja  kombëtare ishin Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni.

 

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 rritja më e madhe e pagës, ishte në aktivitetin e Administratës publike, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me një rritje prej 16,9%.

 

Rritja më e vogël ishte në Aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rreth 5,3%.

 

Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare ishin  Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë dhe specialistë me arsim të lartë (profesionistë).

 

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 rritja më e madhe e pagës, ishte në profesionin e Forcave të armatosura dhe Specialistë me arsim të lartë, me një rritje përkatësisht prej 23,2% dhe 13,6%.

 

Rritja më e vogël ishte në profesionin e Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë me rreth 8,8%.

 

Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe është vërejtur një ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një rritje e numrit të punonjësve me paga më të larta. Shpërndarja aktuale është më e balancuar dhe më e përqendruar në kategoritë mesatare dhe të larta të pagës.

 

Në llogaritjen e pagës mesatare mujore bruto përfshihen vetëm numri i të punësuarve kontribuues me pagë të cilët punojnë 18 apo më shumë ditë gjatë muajit referencë. Këta kontribuues i përkasin të gjithë aktiviteteve ekonomike përfshi dhe aktivitetin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit që deklarohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

 

Paga mesatare mujore bruto përbëhet nga shtesa mbi pagë për funksione drejtuese, shtesa mbi pagë për vjetërsi në punë, shtesa mbi pagë për vështirësi në punë. /Monitor(https://monitor.al/administrata-publike-shtyse-pedr-rritjen-e-pages-mesatare-me-11-7-ne-3-mujorin-e-dyte/)


Më të lexuarat