
Bashkia Tiranë, taksat e reja për ndërtesat pritet të rrisin me 20 për qind të ardhurat në 2026
Rritja e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme po shndërrohet në motorin kryesor të arkës së Bashkisë së Tiranës.
Çdo metër katror i vlerësuar më lart në treg sjell automatikisht më shumë të ardhura për buxhetin vendor, duke i dhënë kryeqytetit një frymëmarrje financiare të re. Vetëm për periudhën 2026–2028, programi buxhetor afatmesëm parashikon një shtesë prej 20 për qind në të ardhura, krahasuar me vitin 2025, duke e bërë këtë periudhë një ndër më ambiciozet në drejtim të menaxhimit fiskal. Kjo rritje e pritshme nuk është vetëm rezultat i zhvillimeve urbane, por edhe i vendimit për të përditësuar çmimet e referencës, të cilat po ndikojnë ndjeshëm në taksat e mbledhura nga ndërtesat dhe pronat e regjistruara në territorin e bashkisë.
ÇMIMET E REJA
Programi buxhetor afatmesëm 2026–2028 i Bashkisë së Tiranës, miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës sjell një risi të dukshme në planifikimin e të ardhurave vendore. Rritja e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të arkëtimeve në arkën e bashkisë, duke përllogaritur një shtesë prej 20 për qind krahasuar me vitin 2025. Kjo rritje nuk është thjesht një shifër teknike, por një tregues i qartë se kryeqyteti po përballet me një realitet të ri fiskal, ku vlera e pronave të regjistruara ndikon drejtpërdrejt në barrën tatimore dhe njëkohësisht në mundësinë për të financuar më shumë projekte publike.
TAKSA E NDËRTESËS
Zëri kryesor i të ardhurave mbetet taksa e ndërtesës, e cila ka shënuar rritje të konsiderueshme në dy vitet e fundit si pasojë e shtimit të ndërtimeve të reja dhe regjistrimeve të pronave ekzistuese. Nga 7,038,245 metra katrorë të regjistruar në vitin 2023, sot sistemi numëron mbi 7,446,674 metra katrorë, duke reflektuar një ngarkesë fiskale prej 2,816,388,331.5 lekësh. Përveç rritjes së sipërfaqes së ndërtuar, aplikimi i çmimeve të reja të referencës pritet të forcojë edhe më tej këtë zë të ardhurash, duke e kthyer atë në një shtyllë të qëndrueshme të buxhetit vendor. Në kontrast me rritjen e të ardhurave nga çmimet e referencës dhe taksa e ndërtesës, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ka shënuar një rënie prej 23 për qind. Ky fenomen lidhet me uljen e aplikimeve për leje ndërtimi dhe ndryshimet ligjore të miratuara kohët e fundit. Megjithatë, Bashkia e Tiranës e konsideron këtë ulje të përkohshme dhe synon ta kompensojë me të ardhurat shtesë që do të vijnë nga përditësimi i çmimeve të referencës dhe administrimi më efikas i taksave ekzistuese.
BUXHETI 2026-2028
Programi buxhetor afatmesëm 2026–2028 synon të krijojë një ekuilibër mes rritjes së të ardhurave dhe nevojës për investime të qëndrueshme. Duke u mbështetur te rritja e vlerës së pronave dhe regjistrimi më i plotë i tyre, Bashkia e Tiranës pret të përforcojë themelet financiare për tre vitet e ardhshme. Kjo strategji shihet si një garanci për stabilitetin fiskal dhe për aftësinë e kryeqytetit për të përballuar sfidat e urbanizimit, duke e kthyer rritjen e çmimeve të referencës nga një barrë fiskale për qytetarët, në një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetesës.
POLITIKAT FISKALE DHE LEHTËSUESE
-Përjashtim nga taksa e ndërtesës për ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre.
-Përjashtim nga taksa e ndërtesës e banimit të deklaruara si vendbanim të kryefamiljarëve që përfitojnë vetëm pension pleqërie ose pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë.
-Aplikohet një zbritje prej 30 % e taksës për tokat bujqësore, për të gjitha sipërfaqet e shfrytëzuara për qëllime bujqësore.
-Përjashtim nga taksa tokat bujqësore, që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes.
-Lehtësimin nga tarifa e pastrimit në masën 50% bizneset e ngritura nga romët dhe egjiptianët dhe për ato biznese, në të cilat numri i të punësuarve romë dhe egjiptian zë mbi 30% të numrit total të të punësuarve në atë biznes.
-Reduktimin në masën 5% të vlerës së detyrimit për zënie të hapësirës publike të subjekteve që lidhin kontratë me afat 6-mujor dhe paguajnë të plotë detyrimin në momentin e lidhjes së saj.
-Reduktimin në masën 10% të vlerës së detyrimit për zënie të hapësirës publike. Subjektet që lidhin kontratë për zënie të hapësirës publike me afat 12-mujor dhe paguajnë të plotë detyrimin në momentin e lidhjes së saj.
-Lehtësimin nga tarifa për zënien e hapësirës publike në masën 50% bizneset e ngritura nga romët dhe egjiptianët dhe për ato biznese, në të cilat numri i të punësuarve romë dhe egjiptianë zë mbi 30% të numrit total të të punësuarve në atë biznes.
-Për shërbimet e ofruara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, studentët tarifohen me 50% të pagesës, pas paraqitjes së kartës së studentit.
-Përjashtim nga tarifa për çerdhe/kopshte për familjet në nevojë. /ekofin.al
Më të lexuarat








