
Miratohet investimi strategjik 21 mln euro për Pashaliman Laguna Eko Resort në Vlorë
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me kusht projektin “Pashaliman Laguna Eko Resort”, të propozuar nga kompania “Meta Resorts Albania” sh.p.k.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me kusht statusin “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Asistuar” për projektin “Pashaliman Laguna Eko Resort”, të propozuar nga kompania “Meta Resorts Albania” sh.p.k., e cila zotërohet 100% nga shtetasi italian Dante Mazzitelli.
Ky projekt parashikon një investim mbi 21 milionë euro dhe do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 25 hektarësh në zonën e Pashalimanit dhe Lagunës së Orikumit, në Bashkinë Vlorë.
Projektimi është realizuar nga Archea Associati Marco Casamonti & Partners, një studio me reputacion të lartë, themeluar në Firence në vitin 1988. Koncepti projektues identifikohet me emrin “Lagoon Eco Resort”. Kjo qasje projektuese ekologjike, e cila synon restaurimin dhe rigjallërimin e elementeve ekzistuese në terren, si dhe ofrimin e zgjidhjeve teknike bashkëkohore për zhvillime në Lagunë, përbën një model origjinal në llojin e vet, i aplikuar për herë të parë nëpërmjet procedurave të investimeve strategjike, thuhet në vendim.
Marrëveshja do t’i mundësojë investitorit strategjik marrjen në përdorim, rijetëzimin/restaurimin e ish-godinave ushtarake, si dhe ankorimin e strukturave lundruese në Lagunë, sipas projektit të propozuar.
Marrëveshja do të parashikojë vlerësimin optimal dhe rikuperimin e hapësirave ekzistuese, me fokus të veçantë në mbrojtjen absolute të pasurive arkeologjike, pasi në zonën arkeologjike nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë strukture të re në tokë.
Godinat ekzistuese do të restaurohen dhe rinovohen. Strukturat akomoduese do të ndërtohen prej druri dhe do të vendosen mbi platforma lundruese (palafitte) në Lagunë, duke garantuar se nuk do të ketë ndikim mjedisor dhe dëmtim të shtresës së poshtme të saj.
Për më tepër, projekti do të duhet të marrë të gjitha miratimet, lejet apo autorizimet përkatëse të nevojshme nga organet e specializuara të trashëgimisë kulturore pasi çdo ndërhyrje si restaurimi/përdorimi/gërmimi/rindërtimi dhe çdo veprim tjetër në pasuritë kulturore materiale kryhet vetëm pas miratimit nga ana e tyre.
Zhvillimi prek pjesërisht territorin përreth Lagunës së Orikumit ku parashikohet të bëhen investime mbi rijetëzimin apo restaurimin e objekteve ekzistuese si dhe pjesërisht Lagunën e Orikumit nëpërmjet ankorimit në tokë të strukturave lundruese (vila druri) së bashku me strukturat e kalimit.
Gjurma e projektit dhe pasuritë kombëtare të mbrojtura
Vendimi përcakton se gjurma e synuar e projektit i mbivendoset qytetit antik të Orikumit, dhe Lagunës në juglindje të tij. Qyteti Antik i Orikut është shpallur Park Arkeologjik dhe ka statusin Monument Kulture Kategoria I. Po kështu edhe Kepi i Shën Gjergjit prek vijën blu sipas Planit të Përgjithsëm Vendor (PPV) Bashkia Vlorë dhe bën pjesë në zonën e mbrojtur Rezervat Natyror i Menaxhuar (RNM) “Karaburun” (kategoria IV).
Ligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” përcakton se këto lloj pasurish kulturore dhe sitet arkeologjike, përbëjnë pronë shtetërore publike, të patjetërsueshme ku në çdo rast të administrimit të tyre titulli i pronës së këtyre pasurive kulturore, i mbetet shtetit.
Gjurma e synuar, përveç që mbrohet nga legjislacione të posaçme, është gjithashtu pjesë e listës së inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjurma prek pronën nr.1314, me emërtim “Ish Flotilja Detare Jugore”, Pashaliman, Vlorë, por nuk bën pjesë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura, miratuar me Dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 24, datë 03.02.2025.
Brenda zonës së synuar për investim, ndodhet objekti nr. 25, që përdoret nga Komanda e Forcës Tokësore, N/Stacioni dhe Kabina Elektrike, nga e cila furnizohet me energji elektrike Baza Detare e Pashalimanit, si dhe është në përdorim të përbashkët rrugëkalimi kryesor për në Kantierin e Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve (KNRA), Distriktin Detar Jugor (DDJ) dhe tek subjektet private që kryejnë aktivitete të ndryshme, në gadishullin e Karaburunit.
Sa i përket zonës përreth, ajo është Baza Detare e Pashalimanit, me sipërfaqe rreth 792.534m². Në këtë pronë janë të vendosura objekte dhe sipërfaqe funksionale të Bazës, Parku i Orikut.
Në vendim konfirmohet se në territorin e konturuar në Lagunë dhe në Kepin e Shëngjergjit, nuk rezulton të ketë leje aktive të vlefshme, të miratuar nga organet e menaxhimit të burimeve ujore, për përdorim të burimeve ujore (sipërfaqësore, nëntokësore apo brigjeve të trupave ujorë). Për këtë arsye subjekti duhet të aplikojë për pajisjen me autorizim për përdorim burimi ujor për ndërtimin e strukturave ankoruese apo për përdorim burimi ujor sipërfaqësor për turizëm dhe argëtim.
Gjithashtu në vendim konfirmohet se në krah të Gadishullit të Karaburunit janë lidhur 5 kontrata për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës detare, të cilat nuk mbivendosen me projektin e propozuar. Ministria përgjegjëse për bujqësinë ka lidhur gjithashtu në vitin 2017 edhe një kontratë për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit artizanal në objektin ujor Laguna Orikum me afat 10- vjeçar.
Pjesëmarrja shtetërore në investimin strategjik
Projekti “Pashaliman Laguna Eko Resort” miratohet me kusht, duke kërkuar zhvillimin e proceseve vlerësuese dhe vendimmarrëse nga institucionet përkatëse dhe finalizimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Në përputhje me VKM nr. 1030, çdo investitor që kërkon pjesëmarrjen shtetërore në një investim strategjik, në fazën përfundimtare të negocimit me Grupin Ndërinstitucional të Menaxhimit, duhet të paraqesë pranë AIDA-s një paketë të plotë dokumentacioni shtesë.
Ky dokumentacion përfshin planin e biznesit me detyrimet e investitorit dhe shtetit, si dhe kostot përkatëse; studimin e fizibilitetit, që tregon përshtatshmërinë dhe realizueshmërinë e projektit; etj. Gjithashtu duhet të jenë të përcaktuara të drejta të posaçme për shtetin, si e drejta e vetos ose vendimmarrje me shumicë të kualifikuar; e drejta për të emëruar anëtarë drejtues apo auditues; mekanizma për zgjidhjen e bllokimeve dhe mosmarrëveshjeve etj.
Në këtë mënyrë, pjesëmarrja shtetërore mbështetet mbi transparencën, garantimin e interesit publik dhe ndarjen e qartë të detyrimeve mes palëve, përcakton vendimi.
Pjesëmarrja e shtetit do të realizohet përmes krijimit të një entiteti të përbashkët midis Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe kompanisë “Meta Resorts Albania” sh.p.k..
Për zbatimin e projektit, Ministria e Kulturës duhet të regjistrojë në kadastër pronat përreth Lagunës që nuk kanë regjistrim fillestar, si dhe godinat në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas përfundimit të procedurave, pronat e paluajtshme të prekura do të transferohen me vendim të Këshillit të Ministrave në favor të AIC-së, e cila do të përfaqësojë shtetin në partneritetin tregtar. Megjithatë, pronat shtetërore mbeten të patjetërsueshme.
Gjithashtu do të duhet të caktohen sipërfaqet e nevojshme në zonën e Kepit të Shën Gjergjit, që mund të përftohen si stacione plazhi. /ekofin.al(https://ekofin.al/miratohet-investimi-strategjik-21-milione-euro-pashaliman-laguna-eko-resort/)
Më të lexuarat








