Secondary Adv

Kredia për biznesin zë pothuajse 63 për qind të portofolit të bankave

Huadhënia për bizneset vazhdon të dominojë në strukturën e kredisë së sektorit bankar shqiptar, pavarësisht rritjes së huadhënies për individët.

Pesha e kredisë për biznesin

Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në mesin e vitit 2025 portofoli bruto i kredisë për biznesin arriti në 576.3 miliardë lekë, duke përfaqësuar 62.6% të totalit të huadhënieve.

 

Megjithëse ky nivel mbetet dominues, pesha e biznesit në portofolin e përgjithshëm ka rënë nga 67% në vitin 2021, për shkak të rritjes së kredisë për individë, veçanërisht në sektorin e banesave.

 

Diferencat mes bankave

Struktura e kredisë ndryshon ndjeshëm mes bankave:

 

-ABI Bank mban nivelin më të lartë, me 84% të portofolit të saj për biznese.

-ProCredit Bank ndjek me 79.5%, ndërsa Credins Bank arrin në 77.4%.

-UBA dhe Tirana Bank janë mbi mesataren e sektorit, me përkatësisht 70.6% dhe 66.5%.

-Bankat e tjera, si Intesa Sanpaolo (61%), OTP Albania (60.2%), Raiffeisen (55.9%), Fibank (50.9%), BKT (54.1%) dhe Union Bank (43.6%), raportojnë nivele më të ulëta.

 

Rreziku dhe kreditë me probleme

Historikisht, përqendrimi i lartë në biznes ka rritur ekspozimin e bankave ndaj rrezikut. Pas krizës së vitit 2008, raporti i kredive me probleme (NPL) në Shqipëri arriti mbi 25%, një ndër më të lartët në rajon.

 

Edhe sot, kredia për biznes shfaq rrezik më të lartë:

-NPL për individët në fund të 2024 ishte 2.9%

-NPL për bizneset arriti në 5.1%

 

Për shkak se kreditë e bizneseve janë zakonisht më të mëdha se ato të individëve, kjo strukturë nënkupton një përqendrim më të lartë të rrezikut në më pak huamarrës. /Monitor(https://monitor.al/kredia-per-biznesin-ze-pothuajse-63-te-portofolit-te-bankave/)


Më të lexuarat