
Banesat sociale, miratohen kostot mesatare të ndërtimit, cfarë duhet të dinë aplikuesit
Pas gati një dekade, Enti Kombëtar i Banesave ka miratuar për herë të parë që nga 2016 kostot e reja të ndërtimit, në përputhje me çmimet aktuale të tregut.
Pas një periudhe të gjatë prej gati një dekade, për herë të parë që nga viti 2016, Enti Kombëtar i banesave ka miratuar koston e ndërtimit të banesave, që pasqyron çmimet aktuale të tregut dhe realitetin e sotëm ekonomik.
Ky hap, i konsideruar si një ndër më të rëndësishmit në fushën e politikave të strehimit, është vlerësuar nga ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi si një masë që do të sjellë transparencë në proceset e ndërtimit dhe siguri më të madhe për qytetarët që përfitojnë nga programet sociale.
Sipas këtij vendimi, kostoja mesatare e ndërtimit për vitin 2025 është vendosur në 56,491 lekë/ m² për sipërfaqe shfrytëzimi, në nivel republike, për çdo qytet janë përcaktuar vlerat specifike të ndërtimit, në rast mungese të të dhënave për një qytet të caktuar, do të përdoren vlerat e qytetit më të afërt, në rast të ndryshimeve të çmimeve sipas manualit të integruar të çmimeve të ndërtimit, të dhënat e gjeneruara nga “e-Albania” do të kenë përparësi ndaj kostos mesatare të miratuar.
VENDIMI
Vendimi i ri përditëson koston mesatare të ndërtimit duke reflektuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të materialeve, punës dhe shërbimeve të lidhura me sektorin e ndërtimit, çmime të cilat gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme si pasojë e faktorëve të tregut dhe inflacionit.
Për më shumë se nëntë vite projektet publike dhe ato sociale në Shqipëri janë mbështetur mbi një kosto reference të vjetruar, e cila nuk arrinte të përputhej me realitetin e sotëm financiar, duke krijuar vështirësi në realizimin e investimeve dhe shpeshherë duke rrezikuar cilësinë e ndërtimeve.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, çdo projekt i ri që do të financohet nga shteti ose nga programet sociale të strehimit do të ketë një bazë të re, të përafruar me çmimet reale, duke shmangur boshllëqet financiare dhe duke garantuar standarde të qarta për ndërtimin e banesave.
Ministri Gonxhja ka theksuar se ky nuk është një proces i zakonshëm kontabël, por një garanci e drejtpërdrejtë për qytetarët dhe familjet shqiptare, të cilët do të mund të përfitojnë banesa të sigurta, cilësore dhe me çmim të drejtë.
Ai theksoi se transparenca është një element thelbësor i këtij vendimi, pasi qytetarët do të kenë më shumë siguri dhe qartësi mbi kostot reale, ndërsa institucionet do të mund të planifikojnë më mirë investimet dhe financimet e ardhshme.
“Ky vendim i rëndësishëm sjell transparencë në proceset e ndërtimit, standarde të qarta për projektet publike e sociale, siguri më të madhe për qytetarët dhe familjet shqiptare që përfitojnë nga programet e strehimit”, – shkruan Gonxhja në postimin e tij në rrjete sociale.
Përditësimi i kostos së ndërtimit shihet si domosdoshmëri në një kohë kur kërkesa për strehim të përballueshëm është në rritje dhe shumë familje me të ardhura të ulëta apo mesatare nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje për strehimin.
Përveç garantimit të fondeve më të sakta për projektet, ky vendim vendos edhe standarde të reja teknike dhe infrastrukturore, duke bërë që çdo banesë e ndërtuar të përmbushë kriteret moderne të sigurisë, efikasitetit energjetik dhe cilësisë së jetesës.
Nga ana tjetër, përditësimi i kostos pritet të ulë edhe riskun e vonesave apo pezullimeve të projekteve për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme.
Nëse më parë diferenca mes kostos reale dhe asaj të miratuar në vitin 2016 krijonte hapësira për abuzime dhe pasiguri, tashmë referenca e re financiare synon të vendosë rregull dhe të shmangë çdo pasojë që rëndon mbi qytetarët.
PËRFITIMET
Përfituesit e programeve sociale, sidomos ata që aplikojnë për banesa me kosto të ulët, do të kenë më shumë parashikueshmëri mbi kushtet dhe vlerën e projektit, duke ditur më herët detyrimet dhe të drejtat e tyre.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se vendimi duhet të shoqërohet edhe me një mekanizëm të fortë monitorimi, në mënyrë që standardet e miratuara të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen realisht në terren nga kompanitë e ndërtimit dhe autoritetet vendore.
Bashkitë dhe këshillat vendorë do të kenë rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi ato janë përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin konkret të projekteve, ndërsa Enti Kombëtar i Banesave pritet të sigurojë mbështetje teknike dhe financiare.
Në një treg ku ndryshimet e çmimeve janë të shpejta dhe shpesh të paparashikueshme, ky vendim përfaqëson një përpjekje të qartë për të siguruar fleksibilitet dhe për të krijuar rezerva të nevojshme financiare në mënyrë që asnjë projekt mos të ngecë për shkak të rritjes së papritur të kostove.
Ai shihet si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe një mënyrë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek programet e strehimit social dhe publik.
Vendimi për përditësimin e kostos së ndërtimit të banesave synon të garantojë familjet shqiptare, veçanërisht ato që kanë më shumë nevojë, të kenë akses në banesa dinjitoze dhe të sigurta, duke u dhënë atyre jo vetëm një çati mbi kokë, por edhe një perspektivë më të qëndrueshme për të ardhmen. /oranews.tv
Më të lexuarat








