
AIC shpall thirrjen për ndërtimin nga privati të Korpusit të Inspektorateve dhe Shtëpisë së fëmijëve
Korporata e Investimeve shpall thirrjen për ndërtimin e Korpusit të Inspektoriateve dhe shtëpisë së re “Zyber Hallulli”.
Korporata e Investimeve Shqiptare ka shpallur thirrjen për investitorë privatë për financimin e ndërtimit të dy objekteve publike, Korpusit të Inspektoriateve dhe Shtëpisë së re të fëmijëve “Zyber Hallulli”, në këmbim të pjesës takuese të Korporatës në objektin multifunksional që do të zhvillohet në pronën e Korporatës në Rrugën e Elbasanit.
Sipas dokumentit të kualifikimit, konkursi kërkon propozime arkitektonike për një Kampus të Ri për Fëmijë (jetimore) që do të zhvillohet në një truall prej 5,300 m². Kampusi do të strehojë 40 fëmijë të moshës 6–15 vjeç që janë pa kujdes prindëror, një model i ngjashëm me fshatrat e fëmijëve SOS.
Objekti i dytë do të jetë një pronë prej 7,110 m² në Rrugën e Elbasanit, në afërsi me Stadiumin “Air Albania”. Shtëpia ekzistuese e Fëmijëve “Zyber Hallulli” dhe godina e Inspektorateve do të shemben për t’i hapur rrugë këtij zhvillimi të ri.
Ndërtesa e Re me Përdorim të Përzier duhet të konceptohet si një pikë referimi bashkëkohore urbane që kombinon mikpritjen, hapësirat e punës dhe biznesit, shërbimet, tregtinë dhe banimin në një mënyrë të balancuar dhe të integruar, thuhet në dokumentin e kualifikimit.
Në rastin e godinës së inspektorateve, projekti është përgatitur nga Inspektorati Qendror dhe nuk kërkohet në fazën e parë të konkurimit.
Çfarë do të përmbajë godina e re?
Sipas dokumentit që ka konsultuar ekofin.al, ndërtesa për përdorim miks, ku do të jenë edhe zyrat e inspektorateve, duhet të konceptohet si një strukturë fleksibël që mundëson skenarë të shumtë dhe përshtatje të ardhshme, në vend të një plani të ngurtë hapësirash. Ndër parametrat kryesorë, në sipërfaqen 7,110 m², do të jenë 5 kate nëntokë, ku të të paktën 30% e sipërfaqes së sitit duhet të mbetet e përshkueshme (pa parkim nëntokësor poshtë saj), për të lejuar rritjen natyrore të pemëve dhe vegjetacionit.
Ndërtesa do të ofrojë hotele, apartamente me shërbim ose ambiente që ofrojnë qëndrime afatshkurtra, duke forcuar rolin e Tiranës si destinacion ndërkombëtar. Po kështu, edhe hapësira pune dhe biznesi, dyqane, kafene, restorante etj.
Procedura e konkurrimit
Procedura e përzgjedhjes së partnerit privat do të zhvillohet sipas një procesi konkurrues me pikëzim, të ndarë në dy faza dhe tre zarfa:
Në fazën e parë të kualifikimit aplikantët paraqesin një aplikim me 2 projektide arkitekturore paraprake dhe dokumentacionin e kërkuar për kualifikim.
Në fazën e dytë të përzgjedhjes aplikantët e kualifikuar dorëzojnë një propozim me dy zarfa të ndarë, ku përfshihen dy projektide arkitekturore dhe oferta financiare. Fituesi do të përzgjidhet mbi bazën e balancës më të mirë mes cilësisë arkitekturore dhe ofertës financiare.
Procedura është e hapur për subjekte private apo publike, vendas ose të huaj, të cilët mund të aplikojnë edhe në bashkëpunim me nënkontraktorë të specializuar deri në datën 15 tetor 2025. /ekofin.al
Më të lexuarat








