Raporti i BB: Bie numri i shqiptareve qe jetojne me 5 dollare ne dite, rritet punesimi
Numri të varfërve në Shqipëri është ulur në 2015, ndërkohë që papunësia ka ardhur në ulje. Banka Botërore ka publikuar raportin polarizimi dhe populizmi, sipas të cilit numri i të varfërve që jetojnë me 5 dollarë në ditë ka rënë në 46%, nga 46.7% në vitin 2014.
Raporti nxjerr në pah se shkalla e punësimit është rritur me 2.7 pikë përqindjeje në tremujorin e parë 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e punësimit për moshat 15-64 vjeç u rrit në 54.8% në tremujorin e parë 2016, më e larta që nga viti 2012.Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare vazhdoj rritjen gjatë vitit 2016, falë rritjes së fortë të investimeve private dhe rimëkëmbjes së konsumit familjar. Rritja ekonomike arriti në 3% gjatë tremujorit të parë 2016, dhe parashikohet të jetë 3.2% në terma vjetorë.
Rritja ekonomike parashikohet të jetë e qëndrueshme në terma të afërta kohore. Konsumi pritet të rritet më tej ndërsa tregu i punës vijon përmirësimin, ndërkohë që investimet do të vazhdojnë rritjen e qëndrueshme falë projekteve të mëdha infrastrukturore, veçanërisht Gazsjellësi TAP dhe një Hidrocentral në Shqipërinë e jugut. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe reforma që synon uljen e kredive me probleme pritet të forcojnë më tej investimet dhe konsumin në terma të mesme kohore.
Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike të bjerë nga 1,8 për qind për vitin 2016, në 1,4 për qind për vitin 2017. Sondazhet nga raporti tregojnë se shqetësimet lidhur me peizazhin ekonomik në ndryshim dhe, veçanërisht, mungesa e sigurisë së punës po ushqejnë një rritje të polarizimit politik në vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore.