
Përfundon mandati i Dumanit, KLP çel garën për kreun e SPAK, ja kandidatët potencialë
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), po mbahet mbledhja për hapjen e garës për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në mbledhjen e trupës së KLP-së, janë prezente dhe përfaqësuese të Ambasadës Amerikane.
Ashtu siç parashikohet dhe me ligj, gara është hapur 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Altin Dumani i cili është zgjedhur për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 16 dhjetor 2022 dhe i mbaron afati më 18 dhjetor 2025.
Kandidatë potencialë për këtë post janë prokurorët Adnan Xholi, Vladimir Mara, Arben Kraja, si dhe prokurorja Anita Jella. KLP ka lënë një afat 3 javor për kandidatët që të paraqesin interesin e tyre. Mësohet se kandidatët do të duhet të paraqesin platformat e tyre në lidhje me mënyrën se si do ta drejtojnë SPAK-un.
Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar.
Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019 ndërsa Altin Dumanit në dhjetor 2022. Dumani e mori drejtimin në një moment kur pritshmëritë e publikut ishin rritur ndjeshëm dhe presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta ishte më i fortë se kurrë.
Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.
Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar data 8 tetor, ndërsa kandidatët duhet të paraqesin në platformën e tyre disa pika kyçe që do të jenë vendimtare në procesin e përzgjedhjes:
- Eksperienca në çështje sensitive, sidomos ato që lidhen me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit;
- Aftësitë drejtuese dhe organizative, të domosdoshme për menaxhimin e një strukture të posaçme si SPAK;
- Përvoja në hartimin dhe miratimin e rregulloreve administrative, që sigurojnë funksionimin institucional;
- Eksperienca në çështje me jehonë të lartë publike dhe ndërveprimi me median në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente;
- Aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, me fokus në drejtim efektiv dhe motivim profesional;
- Vizioni strategjik për organizimin dhe funksionimin e SPAK, që garanton një institucion të pavarur dhe efikas;
- Imazhi publik dhe integriteti profesional përgjatë karrierës si prokuror./Shqiptarja
Më të lexuarat








