
Nesër seancë maratonë, prezantohet në Kuvend programi i qeverisë, çfarë dihet deri më tani
Kryeministri Edi Rama do të prezantojë gjatë seancës plenare të ditës së enjte programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Programi, i cili është 59 faqe, mbështetet në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.
Sipas qeverisë, anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mbetet prioriteti kryesor, ndërsa programi synon të forcojë shtetin e së drejtës, të modernizojë administratën digjitale, të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
“Ne kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat për dy vitet e ardhshme. Për herë të parë, Shqipëria ka një mundësi reale për t’u bërë anëtare e BE-së brenda kësaj dekade,” thuhet në programin e siguruar nga Euronews Albania
Pikat e programit të qeverisë dhe prioritetet strategjike:
Ekonomia dhe financat: Borxhi publik është ulur nga 80% në 55%, të ardhurat për frymë janë trefishuar, paga mesatare është rritur mbi dyfish, ndërsa PBB-ja është dyfishuar. Qeveria synon të krijojë 100 mijë vende të reja pune dhe të mbështesë sipërmarrjen me politika fiskale të favorshme.
Arsimi dhe kultura: Programi parashikon dyfishimin e numrit të nxënësve në arsimin profesional, ngritjen e laboratorëve inteligjentë, rritjen e pagës mesatare të mësuesve dhe investime në infrastrukturën universitare. Gjithashtu, do të hapen qendra kulturore shqiptare jashtë vendit dhe do të vazhdojë restaurimi i objekteve historike.
Shëndetësia dhe mbrojtja sociale: Buxheti për shëndetësinë është trefishuar, janë rindërtuar 400 qendra shëndetësore dhe 53 spitale të reja. Programi përfshin zgjerimin e shërbimeve sociale, rritjen e pensioneve dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
Infrastruktura dhe energjia: Ndërtimi i rrugëve, urave dhe tuneleve do të vazhdojë, përfshirë projektet strategjike të Korridorit Blu dhe hekurudhave kombëtare. Strategjia energjetike fokusohet në diversifikimin e burimeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Mbrojtja, rendi dhe drejtësia: Investimet në Forcat e Armatosura dhe policinë do të rriten, duke përfshirë krijimin e një industrie ushtarake dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Prioritet mbetet edhe siguria rrugore dhe parandalimi i krimit.
Turizmi, bujqësia dhe mjedisi: Qeveria synon të rrisë turizmin elitë dhe ekologjik, të dyfishojë eksportet bujqësore dhe të përfundojë projektet e ujitjes së tokave. Zonat e mbrojtura dhe riciklimi i mbetjeve do të harmonizohen me standardet europiane.
Programi i ri i qeverisë synon gjithashtu përmirësimin e lidhjeve rajonale dhe zhvillimin e infrastrukturës së transportit, përfshirë aeroportet dhe portet, si dhe transformimin e Shqipërisë në një destinacion të sigurt dhe të mirë infrastrukturuar për investime, turizëm dhe shërbime.
Preambula e programit:
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është misioni ynë kombëtar. Ai është kryefjala e çdo vendimi, boshti i çdo reforme dhe ëndrra e brezave që ne kemi marrë përsipër ta kthejmë në realitetin e brezit tonë. Ky nuk është një udhëtim protokollesh e ceremonish, por një proces i thellë shtetformimi, që e bën Shqipërinë më të drejtë, më të fortë, më moderne dhe më të denjë për të ecur krah për krah me kombet e zhvilluara të Europës.
Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm një objektiv diplomatik, por një proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon administratën digjitale, rrit integritetin e shërbimeve publike, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa është mbi të gjitha përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme, në punën që bëjnë, shërbimet që marrin, të drejtat që gëzojnë dhe sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.
Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Më kryesorja, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.
Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe dhe kopshte më të mira, arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, shëndetësia falas dhe modernizuar, pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme.
Ky është programi ynë: Shqipëria Europiane, Shqipëria e Rritjes dhe Shqipëria e Mirëqenies, tre shtylla, një qëllim, një destinacion. Deri në vitin 2030, Shqipëria nuk do të trokasë më në derën e Europës, sepse dera do të jetë e hapur dhe ne do të jemi brenda, me dinjitet të plotë dhe me besimin e patundur se gjenerata jonë ka ditur t’i japë historisë shqiptare një fitore që nuk kthehet pas. /Euronews
Më të lexuarat








