Inflacioni bazë frenoi në gusht, pas pesë muajsh radhazi në rritje
Inflacioni bazë pësoi një rënie të lehtë në muajin gusht, duke ndalur një cikël rritjeje për pesë muaj radhazi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë ra në 2.84%, nga 2.91% që kishte qenë për korrikun. Megjithatë, inflacioni bazë vazhdon të jetë rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kishte qenë në nivelin 2.37%
Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% në vitin 2024.
Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për gushtin ra lehtë në 2.99%, nga 3.04% që kishte qenë për korrikun, por ngelet në rritje krahasuar me nivelin prej 2.26% të një viti më parë.
Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin gusht zbriti në 2.94%, nga 2.94% që kishte qenë në muajin korrik.
Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për gushtin ra lehtë në 2.3%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin korrik, por në rritje nga niveli prej 2% që kishte qenë një vit më parë.
Inflacioni vazhdon të jetë poshtë objektivin prej 3%, i ndikuar nga rënia e inflacionit nga jashtë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe goditjet e përsëritura të ofertës. Por, nga ana tjetër inflacioni bazë dhe presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta dhe mbizotëruese në formimin e inflacionit total. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo sugjeron se aktiviteti ekonomik është pranë potencialit.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, Banka e Shqipërisë parashikonte që inflacioni do të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, Banka Qendrore theksoi edhe njëherë se perspektiva e zhvillimeve ekonomike rrethohet nga pasiguri të shtuara, të cilat burojnë kryesisht nga tensionet gjeopolitike dhe tensionet e rritura ekonomike e tregtare në ambientin e huaj.