
Qeveria shpall synimet për bujqësinë, 1 miliard euro eksporte deri në 2029
Programi Qeverisës 2025–2029 e vendos bujqësinë dhe peshkimin në qendër të zhvillimit ekonomik, me objektiva ambiciozë për modernizim, digjitalizim dhe rritje të eksporteve.
Eksportet dhe prodhimi bujqësor
Qeveria synon që deri në vitin 2030 eksportet bujqësore, përfshirë peshkimin dhe akuakulturën, të arrijnë në 1 miliard euro. Gjithashtu, do të ndërtohet një program i posaçëm për perimet në sera dhe kulturat me vlerë të lartë, të lidhura me tregun evropian dhe sektorin e turizmit. Në këtë kuadër, parashikohet shtimi i 1,000 hektarëve serra të reja për prodhim dhe eksport gjatë gjithë vitit.
Plani përfshin ngritjen e 5 qendrave moderne për ruajtjen dhe përpunimin e produkteve të freskëta, të lidhura me tregun vendas dhe sektorin HORECA. Po ashtu, synohet ndërtimi i markatave të reja të peshkut dhe pikave tregtare që do të forcojnë peshkimin dhe do të shndërrohen në destinacione turistike për produktet e detit.
Peshkimi dhe akuakultura
Për këto fusha, qeveria synon të zbatohen plane të qëndrueshme menaxhimi në Adriatik dhe në ujërat e brendshme, me objektivin e prodhimit prej 20,000 ton në vit në akuakulturën detare dhe 10,000 ton në vit në ujërat e brendshme deri në vitin 2030. Kontrolli i peshkimit do të digjitalizohet, ndërsa organizatat e menaxhimit të peshkimit do të transformohen në Organizata Prodhuese sipas modelit të BE-së.
Siguria ushqimore dhe standardet e BE-së
Qeveria synon garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjes veterinare dhe fitosanitare përmes përafrimit të plotë ligjor dhe institucional me BE-në dhe modernizimit të laboratorëve. Parashikohet zgjerimi i rrjetit laboratorik rajonal dhe forcimi i rolit të Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) në kontrollin zyrtar. Sistemi i inspektimit dhe kontrollit do të reformohet për t’u përafruar me protokollet e Bashkimit Europian.
Bujqësia digjitale dhe inovacioni
Një nga risitë është ndërtimi i platformës kombëtare për bujqësinë e zgjuar, ku do të integrohen të dhënat e fermave, laboratorëve, klimës dhe satelitëve, ndërsa inteligjenca artificiale do të përdoret për parashikimin e prodhimit dhe këshillimin e personalizuar për fermerët. Po ashtu, planifikohet përdorimi i dronëve për mbrojtjen e lokalizuar të bimëve, me synimin për të ulur pesticidet dhe për të siguruar produkte më cilësore.
Mbështetja për fermerët
Qeveria premton 100 milionë euro mbështetje direkte dhe investime çdo vit, sipas praktikave të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së. Objektivi është që deri në vitin 2029 të përfitojnë 150,000 fermerë të regjistruar, me kushte të qarta për mjedisin, higjienën, gjurmueshmërinë dhe mirëqenien e kafshëve.
Sipas dokumentit, do të kalohet nga ferma e vogël tradicionale te ferma moderne e lidhur me tregun nëpërmjet “Contract Farming”, nxitjen e krijimit të SHBB/kooperativa dhe modeleve të ekonomisë së shkallës duke filluar pilotimin në 5 bashki. Gjithashtu, pritet të zbatohet programi sektorial për bagëtitë e imta: kushte mbarështimi, produktivitet, certifikim i produkteve autoktone për tregjet e BE-së.
Sa u përket tokave bujqësore, qeveria synon të garantojë 100% ujitje të tyre deri në vitin 2030, duke kaluar nga 270,000 ha deri më tani në 360,000 ha, përmes modernizimit të 290,000 ha dhe ndërtimit të stacioneve të pompimit për 70,000 ha të tjera. Po ashtu, do të rindërtohen e modernizohen 250 diga, duke rikthyer në parametra optimalë të kullimit rreth 280,000 hektarë, si dhe do të ndërtohen 150 km struktura mbrojtëse kundër përmbytjeve në lumenjtë kryesorë.
Përmirësimi i kapaciteteve dhe shërbimeve
Ekstensioni dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore do të riorganizohen në qendra të këshillimit dhe transferimit të dijes, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe teknologjinë moderne. Një program sektorial i dedikuar do të mbështesë bagëtitë e imta, me kushte të përmirësuara mbarështimi, certifikim të produkteve autoktone dhe hapje të tregjeve të BE-së, thuhet në Program./ekofin.al
Më të lexuarat








