
Rama prezanton ministren e Punëve të Brendshme: Reformojmë Prefekturat, fokus siguria në shkolla
Ministria e Punëve të Brendshme ka hyrë në një kapitull të ri, pas prezantimit të ministres së re Albana Koçiu, e para grua që merr drejtimin e kësaj ministrie.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në mënyrë të mbledhur strategjinë e re dhe prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, tashmë që në krye të saj është emëruar për herë të parë një ministre grua, Albana Koçiu.
Në prezantimin e kësaj të fundit, Rama tha se ky është një moment historik, teksa theksoi se perceptimi i krijuar që ministri i Brendshëm është kryepolic, nuk do të ekzistojë më. Rama vlerësoi se Policia e Shtetit është pjesë e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, por punët e brendshme përfshijnë edhe një sërë detyrash të tjera.
"Ministrja e re vjen sot në krye të Punëve të Brendshme me një profil krejt tjetër nga tërë paraardhësit e saj dhe me një mision shumë të qartë, ta kthejë këtë Ministri nga një Ministri tradicionalisht sipas standardit shqiptar, e policisë, në një Ministri të Punëve të Brendshme sipas standardit europian. Punët e brendshme nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit. Pavarësisht se Policia e Shtetit zë pjesën më të madhe të sferës së punëve të brendshme. Ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër që ligji ynë e thonë në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Jo vetëm se ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një serë nevojash të mëdha serioze të paadresuara prej dekadash ashtu si duhet, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në qasjen e kësaj Ministrie".
Një çështje thelbësore në punët e brendshme të vendit, që do duhet të jenë në fokus të ministres së re të Brendshme, sipas Ramës janë Prefekturat.
Këto të fundit, Kryeministri i konsideroi si fole që shpërndajnë rrogat dhe puna e tyre nuk lë gjurmë në qeverisjet vendore. Për këtë arsye, theksoi Rama, do të reformohen dhe në fund do të bëhet një analizë nëse duhet të ekzistojnë më apo jo.
“Funksionimi i prefekturave, dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme, në realitet është i mangët. Institucione që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat, të cilën do ta bashkëudhëheqin që në konceptim ministrja e Brendshme me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor. Duhet të dalin në përfundimin a na duhen prefekturat apo nuk na duhen fare. Dhe nëse na duhen prefekturat, cfarë forme duhet të ketë, si të bëhen vlerë e shtuar, dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër 0-s”, u shpreh Kryeministri.
Edi Rama foli edhe për rritjen e sigurisë dhe mbikëqyrjen me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve të mëdha fillimisht.
Me sistem video-regjistrimi do të pajisjen edhe ambientet e brendshme të shkollave për të pasur panoramë të plotë dhe të qartë se çfarë ndodh. Kjo duhet pasur parasysh edhe faktin që fatkeqësisht kanë ndodhur ngjarje kriminale mes nxënësve nëpër shkolla.
Në këtë sistem të video-regjistrimit nëpër shkolla, Rama theksoi se Policia e Shtetit do të ketë akses në çdo kohë, ndërsa pamjet do të mund t’i shikojnë edhe prindërit.
“Siguri më e lartë në rrugë ku do mbulojmë me kamera inteligjente akset kombëtare dhe qytetet e mëdha si fillim. Siguria më e lartë në shkolla ku do t’i vendoset drejtorive të shkollave dhe prindërve sistemi i regjistrimit për veprimtaritë brenda shkollës dhe do jetë i aksesueshëm në çdo rast nga Policia e Shtetit. Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit, plazheve, lumenjve, pyjeve përmes survejimit ajror me dronë dhe satelitorë, por na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale çdo cënim të territorit. Jo siç e kemi sot, që mund ta bëjmë në mënyrën periodike”, tha Kryeministri Edi Rama.
Ndërtimet pa leje ishin një tjetër çështje që duhet të jenë në fokus të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas Ramës. Në këtë pikë, Kryeministri pati edhe kritika, kur tha se ndërtimet pa leje në mes të Tiranës, në kullat e larta, nuk i sheh njeri, por në dyert e gjykatës përfundojnë 90-vjeçarë si ndërtues pa leje në Dajt.
“Vetëm në këtë periudhë, është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimin dhe pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe ti nuk e gëzon dot.
Sepse deri dje, i shikonin vetëm avllitë, një burrë 90 vjeç përfundoi në gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Sesi e gjeti policia këtë kriminel në një vrimë matanë Dajtit, do ishte për medalje ari nëse do të kishte mbetur vetëm ajo e atij. Ndërkohë në mes të Tiranës, 4-5 kate pa leje të cilat do t’i gëzojë shteti e jo ai që i ka ndërtuar”, tha Kryeministri. /Shqiptarja
Më të lexuarat








