Secondary Adv

Strategjia e re për sigurinë rrugore, për herë të parë rregulla për skuterët elektrikë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë e re për Sigurinë Rrugore dhe Planin e Veprimit 2026–2030 që do përafrohet me objektivat e BE dhe Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht progresit të bërë me ndërtimin e autostradave dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit, rritja e numrit të automjeteve dhe aksidenteve tregon se nevojiten masa të reja e më të forta për të mbrojtur jetën e përdoruesve të rrugës.

 

Statistikat tregojnë se grupet më të rrezikuara mbeten këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët, të cilët përballen me pasoja më të rënda në rast përplasjeje.  Po kështu, përdoruesit e skuterëve elektrikë po rriten ndjeshëm në Shqipëri, duke u bërë një grup i rrezikuar në trafik, si për vetë drejtuesit, ashtu edhe për këmbësorët. Shpejtësia, degjueshmëria e ulët dhe manovrat e paparashikueshme i kthejnë ata në faktor shtesë risku.

 

Kuadri rregullator aktual është ende i paplotë, pasi skuterët trajtohen kryesisht si biçikleta, ndërkohë që sjelljet e rrezikshme, si kalimi me të kuqe, drejtimi në krah të kundërt, përdorimi i trotuareve, mungesa e dritave dhe mosrespektimi i rregullave kanë çuar në rritje të aksidenteve. Shumë prej këtyre aksidenteve rezultojnë në lëndime serioze, të krahasueshme me ato të motoçikletave, ku lëndimet në kokë janë më të zakonshmet dhe shpesh kërcënojnë jetën.

 

Situata nënvizon nevojën urgjente për legjislacion specifik, zbatim më të rreptë të rregullave dhe fushata ndërgjegjësimi, për të siguruar përdorimin e sigurt të skuterëve elektrikë në trafikun shqiptar.

 

Për këtë arsye për herë të parë  do të detajohen edhe rregulla të reja për mjetet e transportit personal, veçanërisht për patinat elektrike, duke përfshirë kërkesa për pajisje sigurie dhe kushte të reja përdorimi në trafik, me një fond prej 4.5 milionë lekësh.

 

Pesë shtyllat e sistemit të sigurt

 

Strategjia bazohet në vizionin afatgjatë “Vizioni Zero” deri në vitin 2050, me objektivin për të reduktuar fatalitetet në rrugë me 50% deri në vitin 2030, krahasuar me shifrat e vitit 2021. Megjithatë, duke qenë se plani i dytë do të nisë të zbatohet plotësisht nga viti 2026, një objektiv më realist është reduktimi me 30% të humbjeve të jetës deri në fund të dekadës, thekson dokumenti.

 

Strategjia mbështetet mbi Sistemin e Sigurt, i cili përfshin pesë komponentë kryesorë: Menaxhimi i sigurisë rrugore – krijimi i një sistemi të qartë qeverisës me bashkëpunim efektiv mes institucioneve.

 

Rrugë më të sigurta – infrastrukturë e projektuar dhe e mirëmbajtur për të reduktuar rreziqet, sidomos për përdoruesit vulnerabël;  Mjete më të sigurta – përmirësimi i standardeve teknike të automjeteve sipas acquis të BE-së.; Kulturë e re e sjelljes – edukim dhe ndërgjegjësim për respektimin e rregullave, me fokus tek të rinjtë dhe zbatimi më i rreptë i ligjit; Reagim emergjent dhe rehabilitim – përmirësimi i shërbimeve pas aksidentit për të rritur mbijetesën dhe rikuperimin.

 

Strategjia e re e sigurisë rrugore parashikon masa konkrete për rritjen e sigurisë në qarkullim si rishikimi i kufizimeve të shpejtësisë në rrugët kombëtare dhe lokale, me përshtatje sipas standardeve të sigurisë (QSS), me një buxhet prej 26 milionë lekësh gjithsej.

 

Vendosja e kamerave të shpejtësisë dhe sinjalistikës inteligjente në 12 pika të ndryshme, të integruara me QKMT, me kosto 20 milionë lekë, për të frenuar tejkalimin e shpejtësisë.

 

Këto ndërhyrje synojnë uljen e aksidenteve, disiplinimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të sigurta për të gjithë përdoruesit e rrugës./ekofin.al


Më të lexuarat