
Nuk kërkohet NIPT për qiradhënie ditore, por tatimi 15 për qind nga individët do paguhet përmes DIVA
Kush jep apartamente për qira ditore në Airbnb e Booking nuk ka detyrim të hap NIPT, por duhet të deklarojë të ardhurat përmes DIVA dhe të paguajnë tatim 15%.
Tatimet: Sqarim për qiradhënësit në Airbnb dhe Booking
Individët që japin apartamente ose vila me qira ditore përmes platformave online si Airbnb apo Booking.com nuk kanë detyrimin të hapin NIPT, për sa kohë nuk ushtrojnë një aktivitet tjetër tregtar. Megjithatë, ata duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara përmes Deklaratës Vjetore Individuale të të Ardhurave (DIVA) dhe të paguajnë tatim 15%, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
Sipas Administratës Tatimore:
“Një individ që jep me qira një pasuri të paluajtshme dhe nuk ushtron aktivitet tjetër tregtar, nuk ka detyrimin ligjor që të regjistrohet për ushtrim të aktivitetit të qiradhënies por paguan tatim mbi të ardhurat personale vjetore të realizuara. Lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale të realizuara ligji ka përcaktuar se, deklarimi dhe pagesa e tyre do të bëhet nëpërmjet Deklaratës Vjetore Individuale të të Ardhurave (DIVA). Deklarimi i të cilave bëhet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.”
Detyrimi për deklarim dhe pagesë
Çdo individ që realizon të ardhura me burim në territorin e Republikës së Shqipërisë është i detyruar t’i deklarojë ato dhe të paguajë tatimin sipas ligjit. Administrata Tatimore verifikon vetëdeklarimet përmes kontrolleve dhe vlerësimeve të kryera.
Ligji Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 15, përcakton se të ardhurat nga qiraja e pasurive të paluajtshme që nuk janë të ardhura biznesore konsiderohen si të ardhura nga investimet.
Risi në deklarimet për vitin 2024
Një risi e DIVA 2024 është detyrimi i deklarimit edhe për të ardhurat mbi 50 mijë lekë në vit, kur për to nuk është mbajtur tatim përfundimtar në burim.
Kjo do të thotë se:
-Edhe individët që nuk kalojnë pragun prej 1.2 milionë lekësh në vit, por kanë të ardhura mbi 50 mijë lekë të patatuara, janë të detyruar të plotësojnë DIVA-n.
-Këto të ardhura mund të jenë: qiradhënie kur qiramarrësi është individ jo tregtar, të ardhura të realizuara jashtë Shqipërisë etj.
Tregu i qirave ditore në rritje
Kërkesa e lartë nga turistët e huaj për akomodim në apartamente me qira ditore, për shkak të çmimeve më të favorshme krahasuar me hotelet tradicionale, ka nxitur zgjerimin e këtij tregu.
Sipas të dhënave të AirDNA:
-Në qershor 2024 në Shqipëri ishin listuar 21,447 apartamente, vila apo shtëpi në Airbnb.
-Ky numër është rritur me 39% krahasuar me qershorin 2023 dhe me 73% krahasuar me qershorin 2022.
Masat e Administratës Tatimore
Një pjesë e individëve që japin prona me qira ditore nuk janë të regjistruar pranë tatimeve, çka ka shtyrë institucionet të ndërmarrin hapa për formalizimin e aktivitetit.
-Tatimet po përdorin të dhënat e komisioneve të paguara në Booking për të identifikuar pronarët.
-Drejtoria e Hetimit ka nisur një projekt pilot për të evidentuar të ardhurat e qiradhënësve nëpërmjet përfaqësuesve tatimorë të platformave.
-Të dhënat do të kryqëzohen me deklarimet e bëra në DIVA 2024, duke mundësuar mbajtjen në burim të tatimit 15% për të ardhurat e patatuara. /Moniror(https://monitor.al/nuk-kerkohet-nipt-per-qiradhenie-ditore-por-tatimi-15-nga-individet-do-paguhet-permes-diva/)
Më të lexuarat









