Secondary Adv

Ekonomia e Kosovës u rrit 4.58 për qind gjatë këtij viti

Ekonomia e Kosovës ka vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025.

Të dhënat më të fundit tregojnë se Bruto Produkti Vendor (BPV) u rrit me 4.58% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për Bruto Produktin Vendor për vitin 2024, sipas aktiviteteve ekonomike dhe qasjes së shpenzimeve, bazuar në standardin ESA 2010.

 

Sipas raportit, BPV me çmime aktuale në vitin 2024 arriti në 10.350 milionë euro, ndërsa rritja reale krahasuar me vitin 2023 ishte 4.57%. BPV për kokë banori u vlerësua në 6.459 euro.

 

Të gjitha aktivitetet ekonomike kanë shënuar rritje në vitin 2024, duke filluar nga sektori i energjetikës me +6.1%, bujqësia, pylltaria dhe peshkimi me +5.2%, hotelet dhe restorantet me +5.0%, e deri te industria përpunuese me një rritje më të ulët prej +0.6%.

 

Rritje të theksuara patën edhe industria nxjerrëse (+4.6%), aktivitetet financiare dhe të sigurimeve (+3.8%), ndërtimtaria (+3.8%), si dhe shërbimet publike dhe administrata (+3.1%).

 

“Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8.79%), aktivitetet profesionale, teknike dhe të shërbimeve administrative (4.27%), ndërtimtaria (4.15%), industria përpunuese (3.34%), tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore (3.62%), bujqësia, pylltaria dhe peshkimi (2.98%), informacioni dhe komunikimi (2.38%) dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0.44%)”.

 

Në anën tjetër, rënie u regjistrua tek industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave, me një tkurrje prej -6.79%.

 

Kurse, sipas ASK nga ana e shpenzimeve, rritjen e BPV-së e kanë ndikuar: Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (10.42%), importi i mallrave dhe shërbimeve (13.23%), formimi i bruto kapitalit (10.99%), dhe konsumi final i ekonomive familjare dhe i institucioneve jofitimprurëse që i shërbejnë ekonomive shtëpiake (3.91%).

 

Rritja reale sipas qasjes së shpenzimeve

 

-Importi i shërbimeve: +15.8%

-Eksporti i shërbimeve: +10.71%

-Formimi i bruto kapitalit: +6.33%

-Importi i mallrave (FOB): +6.9%

-Eksporti i mallrave: +5.07%

-Shpenzimet e konsumit final: +4.94%

-Shpenzimet e konsumit final të qeverisë: +1.33%

 

Ndërkaq, shpenzimet e konsumit final të qeverisë shënuan rritje modeste prej +1.33%. E vetmja rënie u regjistrua te ndryshimet në inventar, me -1.71%.

 

ASK thekson se këto të dhëna reflektojnë një rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit, me zhvillime pozitive pothuajse në të gjithë sektorët.

 

Të dhënat kryesore të BPV-së për vitin 2024

 

-BPV me çmime aktuale: 10.350 milionë €

-Rritja reale krahasuar me 2023: +4.57%

-BPV për kokë banori: 6.459 €

 

Pas këtyre publikimeve, ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se ekonomia e vendit po vazhdon të rritet, ndërsa tha se Bruto Produkti Vendor është rritur me 4.58 për qind në tremujorin e dytë të 2025-së.

 

“Ekonomia e vendit po vazhdon rritjen – Bruto Produkti Vendor rritet me 4.58% në TM2 2025. ASK dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024 e cila ishte 4.32%, len të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes. Edhe kësaj radhe, faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahen ekonomike të vendit.

 

Ish-ministrja e Tregtisë, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili njoftoi se ekonomia e vendit po vazhdon të rritet.

 

Bajrami në reagimin e saj ka shkruar se inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht të vitit 2024.

 

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024.Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”.

 

Banka Botërore e BQK me të dhënat tjera

 

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore thuhet se rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë në 3,8 për qind në vitet 2025 dhe 2026.

 

“Rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi dhe aktiviteti investues. Megjithatë, pasiguria ekonomike, veçanërisht në lidhje me politikën e tregtisë globale, është rritur muajt e fundit. Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore”, shkruan në këtë raport të Bankës Botërore.

 

Kurse, Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se për vitin 2025 parashikohet rritje reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.1%, e cila mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti i shërbimeve.

 

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) për vitin 2025 parashikon rritje reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.1%, e cila mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti i shërbimeve. Për vitin 2026, pritet që rritja të arrijë në 4.2%. Megjithatë, në muajin shtator pritet të publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të dhënat për tremujorin e dytë të vitit 2025, si dhe të dhënat vjetore për vitin 2024, të cilat do të ofrojnë një pasqyrë më të qartë mbi zhvillimet në ekonominë e Kosovës dhe do të mundësojnë një rishikim e këtyre projeksioneve”.

 

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2023 ka qenë 4.1 për qind, në vitin 2024 kjo normë ishte 4.4, derisa parashikimi për vitin 2025 është 3.8 për qind.

 

Përndryshe, sipas raportit të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2025, përpara se të rikuperohet në 3.5 për qind në vitin 2026, mes pasigurive të shtuara. /Monitor(https://monitor.al/ask-ekonomia-e-kosoves-u-rrit-4-58-gjate-ketij-viti/)


Më të lexuarat