Njohjet e reja për Palestinën, Izraeli: Po krijohet shteti i Hamasit, nuk do ta lejojmë
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’Ar tha se njohja e Palestinës është një gabim, veçanërisht pas sulmeve të përgjakshme të 7 tetorit.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’Ar, ka reaguar ashpër ndaj valës së njohjeve të reja ndërkombëtare për Shtetin e Palestinës, duke paralajmëruar se kjo do të sillte pasoja për sigurinë e rajonit.
Në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, Sa’Ar tha se njohja e Palestinës është një gabim, veçanërisht pas sulmeve të përgjakshme të 7 tetorit.
“Ajo që pashë këtë mëngjes, kur u zgjova, është se një Shtet i Palestinës nuk ekziston. Por deri këtë javë, më shumë se 140 shtete e kanë njohur atë, dhe tani ndoshta një duzinë të tjera do ta bëjnë së shpejti”, deklaroi ai.
Ministri i jashtëm, që vjen nga partia Likud, theksoi se vendet që njohin Palestinën po i japin legjitimitet Hamasit:
“Është një vendim krejtësisht i gabuar dhe tani, pas 7 tetorit, ndërsa ne po luftojmë një luftë ekzistenciale, është moralisht e neveritshme dhe politikisht e çmendur. Duhet të jesh i verbër për të mos kuptuar se kështu po krijohet shteti i Hamasit. Dhe ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë.”
Pas Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Australisë dhe Francës, 5 vende të tjera kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Belgjika, Monako, Malta, Andorra dhe Luksemburgu njohën pavarësinë e shtetit palestinez ditën e dytë të samitit në New York, ndërsa sot do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Njohja e shtetit të Palestinës ka nxitur reagime të ashpra dhe nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është shprehur se asnjëherë nuk do të ketë një shtet të Palestinës dhe se njohja e pavarësisë së tij, është një shpërblim për grupin terrorist të Hamasit. Me këtë deklaratë të fundit, i është bashkuar dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Trump pritet të takohet gjithashtu me udhëheqësit kryesorë arabë dhe myslimanë në margjinat e samitit të OKB-së. Në takim priten të marrin pjesë liderët e Arabisë Saudite, Emiratevet ë Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit.
Ky i fundit pritet të mbajë një fjalim në mbledhjen e sotme të OKB-së, ku në qendër të diskutimeve do të jetë njohja e shtetit të Palestinës dhe lufta disa vjeçare me Izraelin. /Ballkan Web