Importet e bizneseve me rënie në 8 mujor, ndërsa konsumi mbahet nga turizmi
Ecuria e importeve gjatë 8- mujorit 2025 sinjalizon ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend sidomos në ndërtim.
Të dhënat zyrtare të INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë rënie të ndjeshme të importeve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve me rreth 8 për qind në raport me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.
Tkurrje ka shënuar edhe grupi tjetër i importeve i lidhur edhe me industrinë e ndërtimit, “makineritë dhe pajisjet”, të cilat i shin 6% më të ulëta se 8-mujori 2024.
Vlera totale e mallrave të importuara në periudhën janar–gusht 2025 ka shënuar një rënie me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke arritur në 581.9 miliardë lekë ose 12.7 miliardë lekë më pak se një vit më parë, me tkurrje 2%.
Në krahun tjetër rritje kanë regjistruar grupet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit, me një shtesë prej 3% si dhe mineralet dhe lëndët djegëse me 5%, duke reflektuar konsumin e turistëve në për produktet e ushqimeve dhe naftës.
Në të kundërt importet që lidhen me aktivitetin e bizneseve kanë pësuar rënie në të gjitha grupet.
Importet e makinerive dhe pajisjeve ishin rreth 120 milionë euro më të ulëta se 8 mujori 2024, duke dhënë ndikimin më të madh negativ në total.
Tkurrja e këtij grupi sinjalizon ngadalësim të investimeve të reja në kapacitete prodhuese, modernizim ose zgjerim të industrisë. Bizneset duket se po shtyjnë planet e investimit për shkak të pasigurive në treg, dhe pritshmërive më të dobëta për kërkesën në të ardhmen. Kjo prirje është një sinjal paralajmërues se dinamika e rritjes së prodhimit në vitin në vijim mund të dobësohet.
Po ashtu, “materialet e ndërtimit dhe metalet” kanë rënë me gati 70 milionë euro në 8 mujorin e 2025 në krahasim me të njëjtën periudhe të 2024.
Rënia në këtë kategori lidhet me uljen e intensitetit të sektorit të ndërtimit. Duke qenë se ndërtimi ka qenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, një tkurrje e importeve të materialeve tregon se projektet e reja po shtyhen ose po ngadalësohen. Kjo lidhet me ngopjen e tregut, vështirësitë në financim, apo ndryshimet në kërkesën për banesa dhe projekte infrastrukturore.
Importet e lëkurëve gjithashtu pësuan rënie vjetore me 6 %, duke reflektuar vështirësitë që po kalojnë fabrikat e prodhimit të këpucëve për eksport, të cilat janë në futur në vitin e tretë të rënies së prodhimit.
Kërkesa e dobët nga klientët europiane e kombinuar me faktorë të brendshëm si rritja e kostos së punës dhe forcimi i lekut po zgjasin krizën në sektorin e industrisë përpunuese.
Importet e mallrave tregojnë për frenim të aktivitet në pjesën më të madhe të sektorëve të prodhimit, duke përfshire edhe ndërtimin.