Secondary Adv

Rama: Investoni, çmimet e pronave në Shqipëri do të rriten dyfish pas anëtarësimit në BE

Në një kohë kur sektori i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve të huaj, Kryeministri Edi Rama dha një mesazh të qartë nga Vjena.

Thirrja për investime në pasuri të paluajtshme

 

Nga Vjena e Austrisë, gjatë konferencës “Shqipëria, Horizonti i Ri”, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje investitorëve të blejnë prona në Shqipëri, duke theksuar se çmimet e tregut do të vijojnë të rriten dhe mund të dyfishohen pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

 

Ai i inkurajoi investitorët të përfitojnë nga mundësitë aktuale për blerje të tokave dhe apartamenteve, duke i cilësuar ato si një investim të sigurt dhe fitimprurës.

 

Zgjatja e sezonit turistik

 

I pyetur mbi rolin e qeverisë për zgjatjen e sezonit turistik përtej 180 ditëve, Rama tha se sezoni tashmë është zgjeruar, por sfidë mbetet shtrirja e tij gjatë gjithë vitit.

 

“Na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Vetë investuesit mund të kontribuojnë më shumë, duke ndihmuar edhe strukturat qeveritare e vendore që të krijojnë kushte për vizitorët, përfshirë pensionistët që mund të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.

 

Një treg në rritje të vazhdueshme

 

Rama theksoi se sektori i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po ecën me ritme të shpejta, ndërsa çmimet mbeten ende të përballueshme krahasuar me tregjet e tjera europiane.

 

“Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, është t’i shpenzojnë duke blerë prona, apartamente në Shqipëri. Do të jetë një investim shumë i mirë. Çmimet do të rriten edhe më shumë kur të bëhemi pjesë e BE-së. Blini një apartament në Tiranë, prisni disa vite dhe do ta shisni me çmim dyfish,” deklaroi Rama.

 

/Monitor (https://monitor.al/rama-fton-investitoret-blini-sot-prona-ne-shqiperi-pas-anetaresimit-ne-be-do-kushtojne-dyfish/)


Më të lexuarat