Secondary Adv

Faza III Tiranë-Durrës, shpallet fituesi për ndërhyrjen në superstradë dhe nyjen në Laknas

Në kuadër të projekteve madhore të infrastrukturës rrugore në vend, ka përfunduar procedura e prokurimit për fazën e tretë të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës.

Fituesi dhe vlera e kontratës

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në cilësinë e autoritetit kontraktor, shpalli fituese kompaninë “ALB-BUILDING” sh.p.k me ofertën prej 1.97 miliardë lekë (pa TVSH), rreth 20 milionë euro.

 

Fondi limit i tenderit ishte 2.4 miliardë lekë (pa TVSH) ose 25.6 milionë euro.

Afati i zbatimit të kontratës është parashikuar në 24 muaj.

Procedurat e tenderimit u hapën më 30 korrik 2025, ndërsa 3 shtatori 2025 ishte afati i fundit për dorëzimin e ofertave.

 

Operatorët pjesëmarrës dhe skualifikimet

 

Në garë morën pjesë 14 operatorë, të cilët paraqitën ofertat veçmas ose si bashkim operatorësh. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, 7 oferta u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve ligjore e teknike.

 

Arsyet e skualifikimit

 

Salillari sh.p.k – oferta u konsiderua anomalisht e ulët.

A.N.K sh.p.k – mospërmbushje e kritereve të kualifikimit sipas nenit 77 të LPP-së, veçanërisht në sigurimin e stafit mbështetës.

ALBAVIA & JOOS KRASNIQI-BAZE sh.p.k – mungesë dëshmish për përvojë të mëparshme të ngjashme.

EUROTEOREMA PEQIN & NOVA CONSTRUCTION GROUP & VIANTE KONSTRUKSION sh.p.k – mospërmbushje e kritereve të përvojës së mëparshme.

ВАМІ Holding & NDREGJONI & RAFIN COMPANY & UDHË sh.p.k – mospërmbushje e kritereve të përvojës së ngjashme.

G.P.G Company & SENKA sh.p.k – mungesë dëshmish për përvojë të mëparshme.

BE-IS & ERGI & Rruga Ura Asfaltim nr.2 Elbasan sh.p.k – mospërmbushje e kritereve të përvojës së ngjashme.

 

ARRSH ka argumentuar detajisht shkaqet për secilën ofertë të skualifikuar.

 

Çfarë përfshin projekti i zgjerimit

 

Sipas relacionit teknik që shoqëron projektin, ndërhyrja përfshin:

 

Shtresat asfaltike të korsive shtesë në segmentin e kësaj faze.

Ndërtimin e sistemit të drenazhimit të ujërave.

Ndërlidhjen e nyjes së Laknasit me superstradën Tiranë–Durrës.

Ndërhyrjen në nënkalimin e Limuthit pranë qendrës tregtare Citypark.

 

Nyja e re e Laknasit

 

Një ndër elementët kryesorë të projektit është nyja e re e Laknasit, e cila do të realizohet në disnivel për të siguruar akses të plotë me autostradën.

 

Nyja ndodhet rreth 1.5 km nga nyja e Casa Italia dhe është projektuar duke respektuar kufizimet e shpejtësisë për siguri në qarkullim.

 

Lidhja me rrugën kryesore do të realizohet përmes rampave me gjerësi kaluese jo më të vogël se 6 m dhe pjerrësi gjatësore jo më të madhe se 7–8%, sipas kërkesave të VKM nr. 628.

 

Ky projekt synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në aksin më të ngarkuar rrugor të vendit dhe të ulë kohën e udhëtimit për qytetarët dhe bizneset.

 

/Monitor (https://monitor.al/faza-iii-tirane-durres-shpallet-fituesi-per-nderhyrjen-ne-superstrade-dhe-nyjen-ne-laknas/)


Më të lexuarat