Korridori VIII hekurudhor, Durrës-Pogradec gati pas 4 vitesh, kosto e projektit mbi 400 mln euro
Qeveria shqiptare synon të përfundojë brenda katër viteve ndërtimin e Korridorit VIII hekurudhor, një linjë strategjike që lidh Durrësin me Pogradecin dhe rajonin.
Objektivi qeveritar për Korridorin VIII
Në programin qeverisës 2025–2029 theksohet ambicia për të garantuar ndërlidhjen rajonale përmes projekteve Durrës–Rrogozhinë dhe Rrogozhinë–Pogradec, dy segmentet kryesore të Korridorit VIII hekurudhor. Së bashku me hekurudhën Vorë–Hani i Hotit, që pritet të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, paketa e investimeve ndërkufitare kap vlerën e mbi 800 milionë eurove. Vetëm linja Durrës–Pogradec kërkon mbi 400 milionë euro financim.
Financimi për segmentin Durrës–Rrogozhinë
Për segmentin Durrës–Rrogozhinë, me një gjatësi prej 33.5 km, është siguruar tashmë një paketë financimi prej 120.5 milionë euro. Këshilli i Ministrave ka ratifikuar një marrëveshje granti prej 60.5 milionë euro me Bankën Evropiane për Investime (BEI), si pjesë e mbështetjes së Bashkimit Evropian në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo mbështetje shoqërohet nga një kredi 30 milionë euro nga BEI dhe një tjetër kredi 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sfida e segmentit Rrogozhinë–Pogradec
Segmenti Rrogozhinë–Pogradec, me një gjatësi prej 120.3 km, është pjesa më e kushtueshme e Korridorit VIII dhe deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi sigurimin e financimit. Sipas Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, përfitimet nga rehabilitimi dhe ndërtimi i kësaj linje përfshijnë shkurtimin e distancave, rritjen e sigurisë së udhëtimit dhe reduktimin e emetimeve ndotëse nga transporti rrugor.
Rëndësia rajonale e projektit
Korridori VIII hekurudhor shihet si një projekt strategjik jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin, duke mundësuar lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt me tregjet evropiane, si dhe duke kontribuar në zhvillimin e transportit të qëndrueshëm. /Scan