Rritet varësia e investimeve të huaja nga pasuritë e paluajtshme, arrijnë rekord
Pasuritë e paluajtshme po kryesojnë investimet e huaja direkte edhe këtë vit.
Rekord i ri në tregun e pronave
Pasuritë e paluajtshme po kryesojnë investimet e huaja direkte edhe këtë vit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e dytë të 2025 investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën 149 milionë euro – niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë. Krahasuar me një vit më parë, rritja shënon 54%.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, totali i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti 253 milionë euro, duke u rritur me 40% krahasuar me 2024. Ky është gjithashtu niveli më i lartë historik për këtë periudhë. Pesha e sektorit në totalin e investimeve të huaja direkte u ngjit në mbi 33%, nga 24% një vit më parë.
Faktorët që nxisin blerjet e të huajve
Një rol të rëndësishëm në rritjen e tregut kanë luajtur blerjet e shtetasve jorezidentë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, rreth 15% e banesave të shitura iu atribuuan blerësve të huaj, prej të cilëve 71% vijnë nga vendet e Bashkimit Europian.
Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si destinacion turistik dhe investues, falë kostos më të ulët të jetesës, çmimeve më konkurruese krahasuar me tregjet e rajonit dhe interesit në rritje për zonat bregdetare.
Rritje në sektorin financiar
Pas pasurive të paluajtshme, sektori i aktiviteteve financiare zuri vendin e dytë për nga vlera e investimeve të huaja direkte në gjashtëmujorin e parë të 2025, me 147 milionë euro. Ky nivel përfaqëson një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sektori bankar mbetet kontribuesi kryesor, i mbështetur nga fitimet e larta vjetore dhe rritja e kërkesave rregullatore për kapital.
Rënie në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese
Ndryshe nga këta sektorë, të tjerë kanë shënuar rënie. Investimet në industrinë nxjerrëse arritën 98 milionë euro, duke rënë me 3% krahasuar me vitin e kaluar. Flukset në këtë sektor përbëhen kryesisht nga fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese të naftës bruto.
Edhe industria përpunuese dhe energjetike kanë shënuar rënie të ndjeshme, përkatësisht me 35% dhe 20%, duke zbritur në 58 milionë euro secila.
Tregtia në rritje
Sektori i tregtisë u pozicionua i katërti në listën e investimeve të huaja direkte, me një total prej 62 milionë eurosh për gjashtëmujorin e parë të 2025. Krahasuar me vitin e kaluar, investimet në këtë sektor janë rritur me 29%.
Rekord historik i përgjithshëm
Në total, investimet e huaja direkte në Shqipëri për gjysmën e parë të vitit 2025 arritën 759 milionë euro – niveli më i lartë historik i regjistruar për këtë periudhë. Shifra është 1% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke treguar stabilitet të lartë të flukseve investuese në vend. /Monitor(https://monitor.al/rritet-varesia-e-investimeve-te-huaja-nga-pasurite-e-paluajtshme-arrijne-rekord/)