Rruga Qukës-Qafë Plloçë, ARRSH hap tenderin e mirëmbajtjes 32 mln lekë
Mirëmbajtja e rrugës Qukës – Qafë Plloçë parashikohet të kushtojë rreth 32 mln lekë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për mirëmbajtjen me performancë të aksit të ri për një periudhë 12-mujore, teksa kontrata parashikon shërbime rutinë, sikurse janë pastrimet e rrugës, të kanaleve apo vegjetacionit, shërbime dimërore, si dhe reagim ndaj fenomeneve të paparashikuara natyrore, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë qarkullimit të automjeteve.
Pjesë e paketës së mirëmbajtjes janë edhe dy tunelet e segmentit, me gjatësi prej 716 m dhe 311 m. Sipas relacionit teknik, për segmentet më të ekspozuara kërkohet intensifikim i borëpastruesve dhe menaxhim i ngricave, duke përdorur flotë dhe protokolle të dedikuara për ruajtjen e niveleve të shërbimit gjatë gjithë sezonit të ftohtë.
Përmbyllja e procedurave tenderuese dhe nënshkrimi i kontratës për këtë aks rrugor ka rëndësi të veçantë, pasi segmenti shtrihet në terren malor dhe shpesh herë janë ngritur pikëpyetje nëse mund të rrezikohet nga bllokimi i borës apo ngricave. Gjithsesi, gjatë përurimit u bë me dije se kompanitë e mirëmbajtjes që operojnë në vendin tonë kanë eksperiencë të mjatueshme për të garantuar që rruga të mos bllokohet e të qarkullohet me siguri.
Segmenti rrugor Qukës–Qafë Plloçë, me gjatësi 43.3 km konsiderohet një aks strategjik që lidh Tiranën, me Korçën dhe i shërben komuniteteve të zonës së Mokrës. Ai u hap për qarkullimin në fillim të muajit shtator, pas shumë vitesh zvarritje të punimeve. /Scantv