
Diaspora ka futur mbi 9 miliardë euro në pasuri të paluajtshme në Kosovë
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë të ditur se mbi 9 miliardë euro të diasporës janë investuar në banesa gjatë dy dekadave të fundit, duke u konsideruar si “kapital i vdekur” për ekonominë e vendit.
AKB-ja ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si po orientohen investimet e diasporës në Kosovë. Vetëm gjatë dy dekadave të fundit, diaspora ka futur mbi 9 miliardë euro në blerjen e rreth 180 mijë banesave.
“Këto janë mjete kolosale, por të shndërruara në kapital të vdekur, që nuk krijojnë as vende pune, as zhvillim ekonomik dhe as të ardhura të reja për shtetin. Kjo shifër e lartë tregon qartë se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë strategji të mirëfilltë për orientimin e remitancave dhe kursimeve të mërgatës drejt sektorëve prodhues e shërbimorë. Në mungesë të lehtësirave, sigurisë dhe politikave shtetërore, diaspora zgjedh të investojë në pasuri të paluajtshme, duke humbur mundësinë e krijimit të kapitalit qarkullues që do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë së vendit”, thuhet në njoftim.
Sipas AKB-së, 9 miliardë euro të futura në banesa përbëjnë një pasuri të madhe, por të vendosur në sektorin e gabuar.
“Përgjegjësia bie si mbi qeverinë, e cila ka dështuar të krijojë kushte për investime të shëndosha, ashtu edhe mbi diasporën që nuk po e shfrytëzon potencialin e saj për gjenerim të zhvillimit afatgjatë. AKB-ja kërkon nga qeveria hartimin e një strategjie të qartë dhe ofrimin e stimujve realë për orientimin e remitancave në ekonomi aktive. Nga diaspora, kërkohet reflektim dhe angazhim më i madh për investime në biznese prodhuese, në shërbime, në teknologji dhe në projekte që gjenerojnë punësim e perspektivë për të rinjtë e Kosovës”, tha në fund Agim Shahini, kryetar i AKB-së.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen kaotike në sektorin e ndërtimit. Statistikat tregojnë se mbi 75% e ndërtimeve janë pa leje ndërtimi, ndërsa mbi 180 mijë banesa mbesin bosh – shumica të blera nga diaspora, por të pashfrytëzuara.
“Kjo tregon mungesë të theksuar të politikave zhvillimore dhe të planifikimit urban. Kapitali i diasporës, që duhej të ishte motor i ekonomisë, po shkon në banesa të zbrazëta e jo në prodhim, eksporte apo krijim të vendeve të punës. Ky trend rrezikon tronditje financiare dhe dëmton mirëqenien afatgjatë të qytetarëve. Po ndërtojmë qytete të zbrazëta, me banesa të pashfrytëzuara, ndërsa rinia largohet çdo ditë”, theksohet në reagimin e AKB-së.
AKB-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës hapa urgjentë për legalizim transparent të ndërtimeve, vendosje të rregullit dhe orientim të kapitalit të diasporës drejt prodhimit e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Vetëm kështu mund të krijohen vende të reja pune, të forcohet eksporti dhe të sigurohet një e ardhme më e qëndrueshme për vendin.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi, me rreth 1.6 milionë banorë, ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme. Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo i treti banor ka “kulm mbi kokë”.
Regjistrimi i popullsisë i vitit të kaluar tregoi gjithashtu se mbi 96% e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë. Por, shqetësuese mbetet shifra e banesave të zbrazëta.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë mbi 182 mijë banesa të tilla, që përfshijnë ato ende në ndërtim, të blera dhe të destinuara për shitje. Situata rëndohet edhe më shumë nga ndërtimet pa leje. Llogaritet se në gjithë territorin e Kosovës mbi 75% e ndërtesave janë ndërtuar pa leje ndërtimi dhe, rrjedhimisht, pa certifikata përdorimi. Vetëm në Prishtinë ka mbi 46 mijë ndërtesa të tilla, ndërsa në gjithë vendin numri arrin mbi 352 mijë.
/Monitor (https://monitor.al/diaspora-ka-futur-mbi-9-miliarde-euro-ne-banesa-ne-kosove/)
Më të lexuarat









