
Rama: Po ndërtojmë brezin novator, universitetet po hartojnë programe për IA dhe nanoshkencën
Në vend u zhvillua Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, një ngjarje që shënon përkushtimin e Shqipërisë për të udhëhequr në fushën e shkencës dhe teknologjisë në rajon.
Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë
Në vend u zhvillua Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, një ngjarje që shënon përkushtimin e Shqipërisë për të udhëhequr në fushën e shkencës dhe teknologjisë në rajon. Në fokus ishte ndërtimi i një ekosistemi të avancuar kërkimi dhe arsimi, që synon t’u japë të rinjve shqiptarë mundësinë të studiojnë teknologjitë e së ardhmes pa u larguar nga vendi.
Rama: Shqipëria në ballë të shkencës dhe teknologjisë
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe nanoteknologjisë si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transparencës në qeverisje.
“Shqipëria një komb që guxon të udhëheqë dhe jo të ndjekë, në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon. Me lejoni të them që duke krijuar një ministre te AI, ministrja e parë në botë, Shqipëria nuk po përqafon thjeshte të ardhmen, por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar,” tha Rama.
Ai shtoi se përdorimi i algoritmeve dhe inteligjencës artificiale do të shërbejë për të rritur transparencën, sidomos në tenderët publikë, duke i kthyer ato në një proces me integritet dhe llogaridhënie.
Prioritet kombëtar dhe vizion për 2030
Rama theksoi se inteligjenca artificiale mbetet përparësi kyçe në strategjinë kombëtare, duke e lidhur me vizionin e Shqipërisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
“Vizioni është i qartë: ndërtimi i një Shqipërie të integruar në zhvillimet globale, inovative dhe me udhëheqje shkencore. Do të kanalizojmë më shumë burime, reforma dhe kapital në funksion të ndërtimit të një ekosistemi të avancuar teknologjik në Tiranë dhe më gjerë,” u shpreh ai.
Arsimi i lartë dhe teknologjitë e reja
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së arsimit të lartë me nevojat e teknologjive bashkëkohore. Ai bëri të ditur se disa universitete shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemet digjitale, inteligjencën artificiale dhe nanoshkencën.
“Ky nuk është një luks apo diçka e veçantë. Është një nevojë e së tashmes. Vizioni ynë është që brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë këtë në vend,” tha Rama, duke theksuar se synohen partneritete me universitetet dhe institutet europiane.
Brezi i ri novator
Ky investim në arsim, sipas Ramës, nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e shkencëtarëve apo inxhinierëve, por me ndërtimin e një hapësire për mendim novator. Ai e cilësoi këtë proces si themelin e një brezi të ri novatorësh që do të çojnë përpara ekonominë, industrinë dhe qeverisjen shqiptare.
Nanoteknologjia dhe e ardhmja e integruar
Konferenca u përshëndet edhe nga Ministria e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, e cila theksoi se nanoteknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk janë rrugë paralele, por forca që bashkohen për të ndërtuar një të ardhme më të mençur, të drejtë dhe të qëndrueshme.
“E ardhmja nuk vjen — ne e ndërtojmë atë,” u theksua në fjalën përshëndetëse, duke i konsideruar pjesëmarrësit si arkitektët e së ardhmes. /Monitor(https://monitor.al/rama-po-ndertojme-brezin-novator-universitetet-po-hartojne-programe-per-ia-dhe-nanoshkencen/)
Më të lexuarat









