Ekonomia u rrit me 3.5 për qind në 3-mujorin e dytë: Ndikoi administrata, tregtia dhe turizmi
Ekonomia në vendin tonë përgjatë dy tremujorëve të parë të vitit pati një performancë pozitive që u stimulua nga rritja e të ardhurave në sektorët kryesorë të saj.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma reale, në tremujorin e dytë të vitit 2025 vlerësohet me rritje 3.51%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024. Kontributin më të madh e ka dhënë administrata publike dhe tregtia, akomodimi e shërbimi ushqimor. Ndërkohë, bujqësia, industria dhe informacioni ndikuan negativisht.
Më konkretisht, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” kontribuoi me 1.65 pikë përqindje, ndërsa “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor” me 0.47 pikë përqindje. Një kontribut pozitiv të lartë dhanë edhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me 0.37 pikë përqindje, dhe “Ndërtimi” me 0.30 pikë përqindje.
Nëse do të flisnim për ecurinë e aktiviteteve kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 shohim se "Administratra Publike, Arsimi dhe Shëndetësia" shënoi rritje prej 15.11%, i ndjekur nga aktiviteti "Pasuri të Paluajtshme" me një rritje prej 7.86%
Grupi “Informacioni dhe Komunikacioni" shënoi rritje prej 5.38%, grupi i aktiviteteve "Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi" shënoi rritje prej 5.07%, grupi "Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative" shënoi rritje me 3.88%. Grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor" shënoi një rritje prej 2.72%. Nga ana tjetër, aktiviteti i "Ndërtimit" shënoi një rritje prej 2.68% dhe grupi "Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit" shënoi një rritje prej 1.96%. Grupi i aktiviteteve "Bujqësi, Pyje dhe Peshkim" shënuan rënie prej 2.49% dhe "Industri, Energji dhe Ujë" u ul me 1.79%.
Ndër të tjera, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht, në tremujorin e dytë 2025, krahasuar me tremujorin paraardhës, vlerësohet me rritje prej 0.87%. /Scantv