Secondary Adv

INSTAT: 994 mijë shqiptarë udhëtuan jashtë në gusht, 10 për qind më shumë se një vit më parë

Këtë verë, gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë vendit, duke e kthyer Greqinë dhe Turqinë në dy destinacionet kryesore të pushimeve.

Rritja e udhëtimeve jashtë vendit

Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në muajin gusht 2025 kanë dalë nga Shqipëria 994.573 persona, shifër që tregon një rritje prej 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Arsyet e këtij trendi janë të ndryshme, nga kurioziteti për të vizituar vende të reja, deri te përfitimet e linjave ajrore low cost që lejojnë rezervime të hershme me çmime më të favorshme.

 

Destinacionet kryesore: Greqia dhe Turqia

Operatorja turistike, Fiori Zani, thekson: “Shqiptarët, në radhë të parë, shkojnë jashtë sepse Shqipërinë e kanë vizituar dhe kanë kuriozitet. Në radhë të dytë, besoj se linjat low cost i favorizojnë që t’i bëjnë pushimet jashtë, duke i rezervuar në avancë, patjetër që të kapin një çmim më të mirë.”

 

Greqia mbetet një zgjedhje e natyrshme për shkak të afërsisë dhe gamës së gjerë të akomodimeve, nga apartamentet e thjeshta deri te hotelet luksoze me shërbim all inclusive. Nga ana tjetër, Turqia ofron paketat “all in” të preferuara nga familjet, ku shpenzimet janë të parashikueshme që përpara nisjes.

 

Destinacionet alternative

Krahas dy vendeve kryesore, shumë shqiptarë kanë preferuar këtë vit edhe Spanjën, jugun e Francës, Italinë dhe veçanërisht Sicilinë, duke e zgjeruar kështu hartën e destinacioneve verore.

 

Çmimet dhe krahasimi me Shqipërinë

Diskutimet mbi çmimet e pushimeve në Shqipëri, veçanërisht në jug, kanë qenë të shumta. Por sipas operatorëve turistikë, e njëjta situatë është e pranishme edhe në Europë. Zani shton: “Edhe po të ikësh në destinacionet që janë të bukura si Sardenja, Santorini, patjetër që çmimet janë shumë më të larta se jugu i Shqipërisë. Çmimet janë rritur kudo, edhe Greqia pati ulje të turistëve rreth 30%, kjo edhe për shkak të uljes së euros dhe rritjes së çmimeve, ndikoi kudo, jo vetëm në Shqipëri.”

 

Kohëzgjatja dhe kostot e pushimeve

Sa i përket kohëzgjatjes, pushimet e shqiptarëve jashtë vendit nuk kanë zgjatur më shumë se 7 ditë. Shpenzimet minimale janë llogaritur rreth 500 euro për person, duke përfshirë akomodimin, transportin dhe shërbimet bazë. /oranews.tv


Më të lexuarat