Rusia paralajmëron për përshkallëzim të luftës nëse SHBA dërgon raketa Tomahawk në Ukrainë
Rusia po analizon mundësinë që SHBA të furnizojë Ukrainën me raketa “Tomahawk”, duke paralajmëruar se ky hap mund të sjellë përshkallëzim të madh.
Rusia tha se ushtria e saj po analizonte nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do te furnizonin Ukrainen apo jo me raketa “Tomahawk” për të sulmuar në brendësi Rusinë – një hap që zyrtarët rusë thonë se mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh, sipas “Reuters”.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha dje se Uashingtoni po shqyrtonte kërkesën e Ukrainës për të furnizuar vendin e shkatërruar nga lufta me raketa “Tomahawk”.
Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe ka qenë i kujdesshëm për shmangien e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë – në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Por, fakti që ai tani po e shqyrton një vendim të tillë – tregon shkallën e zhgënjimit të tij me refuzimin e presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim – gjatë takimit të tyre, në Alaskë, muajin e kaluar.
Raketat “Tomahawk” kanë një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash – mjaftueshëm larg për të goditur Moskën dhe pjesën më të madhe të Rusisë Evropiane nëse ato lëshohen nga Ukraina.
Zelensky i ka kërkuar Uashingtonit t’ua shesë raketat “Tomahawk” vendeve evropiane – në mënyrë që ato të dërgoheshin në Ukrainë.
Sipas Kremlinit, rrezikohet një përshkallëzim nëse SHBA-ja përfshihet në lëshimin e raketave “Tomahawk” në Rusi.
“Pyetja është kjo, kush mund t’i lëshojë këto raketa? Vetëm ukrainasit mund t’i lëshojnë ato, apo duhet ta bëjnë edhe ushtarët amerikanë?”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Kush po përcakton shënjestrimin e këtyre raketave? Pala amerikane apo vetë ukrainasit?” tha Peskov, duke shtuar se nevojitej një analizë shumë e thellë.
Më herët, Rusia paralajmëroi se Rusia kishte të drejtën për të sulmuar postet ushtarake në vendet – që lejojnë Ukrainën të përdorë raketat e tyre – për të goditur Rusinë. /oranews