Turistët nuk e zëvendësojnë ikjen e popullatës, ngadalësohet konsumi
Konsumi final i popullatës në gjysmën e parë të vitit 2025 u rrit, por me ritme më të ngadalta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Konsumi i popullatës në 6-mujorin e parë
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të 2025 konsumi final i popullatës u rrit me 3.8%, nga 5.1% në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në tremujorin e parë 2025, rritja ishte 2.5%, ndërsa një vit më parë 4.6%. Të dhënat tregojnë një ritëm pozitiv, rreth 3% mesatarisht, duke reflektuar ndikimin e faktorëve të jashtëm si kursi i këmbimit dhe çmimet e importit, dhe faktorëve të brendshëm si rritja e pagave dhe aktiviteti turistik.
Efekti i krizave dhe rimëkëmbja pas pandemisë
Tabloja e konsumit tregon efektin e krizave të njëpasnjëshme, përfshirë pandeminë dhe luftën në Ukrainë me inflacionin e lartë. Pas një rritjeje mbi 6% në T2 të vitit 2019, konsumi pësoi tkurrje mbi 14% në T2 2020 për shkak të COVID-19, kufizimeve të lëvizjes dhe tkurrjes së të ardhurave të familjeve.
Gjatë 2021-2022, konsumi u rimëkëmb me ritme të forta, disa tremujorë mbi 7%, falë rritjes së remitancave dhe turizmit pas kufizimeve. Në vitin 2023 ritmet u zbehen ndjeshëm, disa tremujorë nën 1%, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë dhe rënies së fuqisë blerëse.
Vitin e kaluar, rritja e konsumit stabilizohet në 4%, mbështetur kryesisht nga rritja e pagave dhe remitancat.
Faktorët aktualë të rritjes dhe sfidat
Konsumi i fundit ndikohet më së shumti nga rritja e pagave në sektorin privat dhe publik. Biznesi dhe qeveria rritën pagat për të përballuar mungesën e kapitalit human, megjithatë produktiviteti nuk po ndjek të njëjtin ritëm.
Burimet e rritjes së konsumit janë të rrezikuara nga luhatjet e çmimeve dhe fluksi i turistëve, të cilët kanë mbështetur rritjen pas pandemisë. /Monitor(https://monitor.al/turistet-nuk-e-zevendesojne-ikjen-e-popullates-ngadalesohet-konsumi/)