Shpallen fituesit për ndërhyrjen në urën e Milotit, punimet do të zgjasin dy muaj
Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues bashkimin e kompanive “JUNIK” SHPK dhe “JOOS & KRASNIQI – BAZE” për ndërhyrjen emergjente në urën e Milotit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se fituesit e kontratës “Ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e themeleve në urën e Milotit” janë bashkimi i kompanive “JUNIK” SHPK & “JOOS & KRASNIQI – BAZE” me një ofertë rreth 860 mijë euro çka përbën 80.5 për qind të fondit limit të vënë në dispozicion.
Procedura për ndërhyrjen në këtë urë u nis në dhjetëditëshin e fundit të gushtit dhe pas përmbylljes së saj kompania do të ketë dy muaj kohë për të zbatuar kontratën nga nënshkrimi i saj.
Më herët, në dokumentet e procedurës, ARRSH vlerësonte se projekt erdhi pas një investigimi në terren të konsulentit i cili konstatoi gjendjen e saj dhe nevojën për ndërhyrje. Ura ndodhet aktualisht në mes të jetëgjatësisë që kanë vepra të kësaj natyre dhe ndërhyrja parashikon rritjen e sigurisë.
ARRSH vlerëson se themelet e Urës janë në një gjendje tej të dëmtuara.
“Për këtë sugjerojmë se Urës si masë emergjente duhet t’i bëhen punimet sipas përshkrimeve të mëposhtme për të siguruar një jetëgjatësi të saj me kufizimin e ngarkesave siç ajo është sot për një periudhë deri në (5÷10) vjet” thuhet në dokument.
Më të detajuara në dokumente nënvizohen problematikat konkrete të vrenjtura në themelet e urës.
1.Ndër problematikat kryesore të vërejtura është problemi i themeleve, të cilat pothuaj kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të gërryerjes së përgjithshme të shtratit të lumit.
2.Thellësia mesatare e gërryerjes së përgjithshme dhe lokale shkon (3÷5)m.
3.Vazhdimi i marrjes së zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar në lum është shkaku kryesor i kësaj situate, fenomen që shfaqet edhe në urat e ndërtuara së fundmi mbi këtë lumë” thuhet në dokumentin e ARRSH.
Ndër punimet e parashikuara që të kryhen janë:
1.Pastrimi i zonës përreth, pilotave (32 pilave) dhe nivelimi i shtratit përreth tyre,
2.Betonimi i pilotave të themeleve në një lartësi (1.5÷2.5)m duke gjykuar sipas rastit (mbrojtjen e pilotave të dëmtuara dhe thellësisë së gërryerjes).
3.Përforcimi dhe mbrojtja e themelit të pilës dhe ballit nga gërryerjet lokale nëpërmjet krijimi i një qilimi me blloqe të lidhura gabioni siç tregohet në projekt
Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot Lezhë mbi lumin Mat, në rrugën Kombëtare Milot Lezhë, SH1. Projekti për ndërtimin e urës ka datën 24.04.1979 hartuar nga Instituti i Projektimeve Nr. 2 dhe ka qenë pjesë e Projektit “Hekurudha Laç – Shkodër – Kufi” (Urë hekurudhore dhe Automobilistike mbi lumin Mat).