Veliaj: Nga janari Tirana do te kete Kryebashkiakun e saj te nates
Duke filluar nga muaji janar, Tirana do të ketë edhe kryebashkiakun e natës. Kështu ka deklaruar Erion Veliaj gjatë vizitës në një biznes ku të punësuara janë gratë sipërmarrëse.
Erion Veliaj u shpreh se ashtu si në vendet e zhvilluara europiane do të ketë një person përgjegjës, që do të quhet Kryebashkiaku i Natës.Veliaj: “Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët.
Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh. Promovon ekonominë, e cila njihet si ekonomia e turnit të tretë, për t’u siguruar që jo vetëm qyteti jeton 24 orë, por për t’u siguruar gjithashtu për sa më shumë punësime e sa më shumë maksimizojmë orët e ditës dhe hapësirat e qytetit për ekonominë e njerëzve tanë dhe të rinjve që jetojnë në Tiranë”Duke u ndaluar te programi për mbështetjen e grave sipërmarrëse për hapjen e bizneseve, Veliaj tha se falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës, 22 gra kanë mundur që sot të kenë bizneset e tyre në kryeqytet, duke punësuar veten, por edhe duke krijuar mundësi për t’u punësuar me dhjetëra të tjerë.
Veliaj: “Kemi dhënë 22 grante për 22 kompani që drejtohen nga zonja dhe zonjusha. Besojmë se në këtë qytet është e rëndësishme që bashkia të zgjedhë aleatët e vetë dhe aleatë të bashkisë janë ata njerëz që punojnë dhe që i hapin punë vetes në kuptimin më të mirë të fjalës”.