Secondary Adv

Investimi nga jashtë në borxhin e brendshëm të qeverisë shqiptare ka arritur në 20 mld lekë

Investimi i huaj në borxhin e brendshëm të qeverisë shqiptare ka arritur në 20 miliardë lekë, duke treguar rritje të besimit në tregun financiar vendas.

Rritet pjesëmarrja e investitorëve jorezidentë

Portofoli i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare i zotëruar nga investitorët e huaj arriti në 20 miliardë lekë në mesin e këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve nga subjektet jorezidente në letrat e borxhit sovran u zgjerua me rreth 6 miliardë lekë ose 43% që prej fillimit të vitit 2025. Aktualisht, investitorët nga jashtë zotërojnë rreth 2.5% të stokut të borxhit të brendshëm, nga 1.8% në fund të vitit të kaluar.

 

Këto shifra dëshmojnë rritjen graduale të rolit të investitorëve jorezidentë në tregun e titujve qeveritarë, ndonëse dinamika ka ndryshuar mes dy tremujorëve të parë. Pjesa më e madhe e rritjes është regjistruar në tremujorin e parë të vitit, ndërsa në tremujorin e dytë interesi u ngadalësua për shkak të rënies së yield-eve.

 

Normat e interesit në rënie

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar e interesit për titujt afatshkurtër në gjashtëmujorin e parë të vitit ra në 2.8%, nga 3% në periudhën pararendëse dhe nga 3.5% një vit më parë. Luhatjet e normës për titujt 12-mujorë kanë përcaktuar kryesisht këtë tendencë, duke mbetur në nivelet 2.7%-2.8%. Pavarësisht kësaj, kërkesa e investitorëve ka qenë e qëndrueshme, duke mbuluar rreth 90% të nevojave të qeverisë për huamarrje afatshkurtër.

 

Për titujt afatgjatë, norma mesatare e ponderuar e interesit ra në 3.7%, nga 4.6% dhe 5.1% në dy gjashtëmujorët pararendës. Titujt me maturim 2 dhe 3 vjet u ulën përkatësisht në 2.9% dhe 3.1%, ndërsa ato me maturim 5 dhe 10 vjet në 3.4% dhe 5.0%. Titujt afatgjatë 7 dhe 15 vjet gjithashtu pësuan rënie në nivelet 4.0% dhe 5.6%. Megjithatë, kërkesa për këtë segment ka qenë e lartë, duke plotësuar ofertën e qeverisë në rreth 80% të rasteve.

 

Profili i investitorëve të huaj

Pjesëmarrja e investitorëve të huaj në tregun e titujve qeveritarë në lekë nisi në vitin 2024, kryesisht në obligacione. Sipas burimeve të tregut, bëhet fjalë kryesisht për fonde institucionale dhe hedge funds, të cilat për herë të parë kanë përfshirë obligacionet shqiptare në lekë në portofolet e tyre.

 

Një interes i lartë është shfaqur edhe për Eurobondet shqiptare. Në shkurt 2025, qeveria emetoi Eurobonde me vlerë 650 milionë euro dhe yield prej 5%, ndërsa kërkesa nga investitorët arriti në 3.7 miliardë euro, duke dëshmuar atraktivitetin e lartë të titujve shqiptarë në tregjet ndërkombëtare.

 

Rritja e vlerësimit të borxhit sovran

Interesi i investitorëve të huaj është nxitur gjithashtu nga përmirësimet e njëpasnjëshme në vlerësimin e borxhit sovran. Në mars 2025, S&P Global Ratings e përmirësoi vlerësimin afatgjatë të Shqipërisë nga “BB-” në “BB” me perspektivë të qëndrueshme. Një vit më parë, agjencia e kishte ngritur nga “B+” në “BB-”. Po ashtu, në tetor 2024, edhe Moody’s përmirësoi vlerësimin nga Ba3 në Ba1.

 

Këto zhvillime kanë rritur besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet financiare, duke zgjeruar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në titujt e qeverisë shqiptare. /Monitor(https://monitor.al/investimi-nga-jashte-ne-borxhin-e-brendshem-te-qeverise-shqiptare-ka-arritur-ne-20-miliarde-leke/)


Më të lexuarat