
Shqipëria mbi mesataren për sigurinë dhe lirinë e fjalës, por e fundit për mirëqenie ekonomike
Një raport i ri mbi Perceptimet e Politikës së Jashtme zbulon dallime të theksuara mes vendeve të Ballkanit për çështje kyçe rajonale.
Raporti mbi Perceptimet e Politikës së Jashtme në Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor tregojnë një ndryshim të konsiderueshëm midis vendeve të Ballkanit sa i përket perceptimeve për çështje të ndryshme.
Me synimin për të parë se si popullsia që është në qendër të këtij studimi e percepton një sërë vlerash, të anketuarve iu dhanë tetë vlera për të vlerësuar statusin e tyre në vendet e tyre, në një shkallë “Likert” që varion nga “Shumë keq” deri te “Shumë mirë”. Këto vlera janë: demokracia, qeverisja dhe sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, mirëqenia ekonomike e qytetarëve, punësimi, barazia sociale, siguria dhe liria e fjalës.
Rezultatet e përgjithshme sugjerojnë se, në të gjitha vendet e studiuara, disa vlera perceptohen në një gjendje më të mirë ose më të keqe për sa i përket statusit të tyre aktual. Vlera që mori më shumë përgjigje “Shumë mirë” dhe “Kryesisht mirë” në të gjithë kampionin ishte liria e fjalës, me 28% të të anketuarve që thanë se statusi i saj në vendin e tyre është “Kryesisht mirë” dhe 14% që e vlerësuan “Shumë mirë”. Vlera e dytë më pozitivisht e vlerësuar ishte siguria, me 25% të popullsisë që thanë se statusi i saj është “Kryesisht mirë” dhe 8% që e panë si “Shumë mirë”.
Demokracia dhe sundimi i ligjit
Në raport me demokracinë, Shqipëria (2.80) është pranë mesatares rajonale (2.84), duke u renditur më mirë se Bosnja dhe Serbia, por larg rezultateve më të larta të Kosovës (3.26). Për qeverisjen dhe sundimin e ligjit, Shqipëria ka një rezultat pak mbi mesataren (2.59 kundrejt 2.53), më mirë se Bosnja (2.31) dhe Maqedonia e Veriut (2.26), por më dobët se Moldavia (2.79) dhe Kosova (2.68).
Të drejtat e njeriut dhe barazia sociale
Për të drejtat e njeriut, Shqipëria (2.85) është mbi mesataren (2.81), duke qëndruar dukshëm më mirë se Ukraina (2.56) dhe Bosnja (2.52), por prapë nën nivelin e Kosovës (3.30). Në të kundërt, barazia sociale mbetet një pikë e dobët: Shqipëria (2.51) është nën mesataren rajonale (2.61) dhe perceptohet si vend me pabarazi të lartë shoqërore, duke u renditur vetëm mbi Bosnjën (2.32) dhe Ukrainën (2.45).
Ekonomia dhe punësimi
Mirëqenia ekonomike del si problemi më i madh. Shqipëria (2.15) është ndër më të ulëtat në rajon, më mirë vetëm se Bosnja (2.10) dhe Maqedonia e Veriut (2.11), por shumë më poshtë se Kosova (2.68) dhe Serbia (2.67). Megjithatë, panorama ndryshon te punësimi: me një rezultat prej 2.87, Shqipëria renditet ndër më të mirat në rajon, krahas Serbisë (2.81) dhe mbi Kosovën (2.75), duke lënë pas Moldavinë, Bosnjën dhe sidomos Gjeorgjinë (2.48).
Siguria dhe liria e fjalës
Në fushën e sigurisë, Shqipëria (2.95) tejkalon mesataren (2.89), duke u perceptuar më e sigurt se shumica e fqinjëve, veçanërisht Serbia (2.88) dhe Ukraina (2.44). Liria e fjalës vlerësohet gjithashtu pozitivisht: Shqipëria (3.11) është në linjë me mesataren (3.13), më mirë se Bosnja (2.94) dhe Gjeorgjia (2.88), por larg nivelit të Kosovës (3.81).
Në përgjithësi, Shqipëria perceptohet si vend relativisht i sigurt, me tregues pozitivë për punësimin dhe lirinë e fjalës, por me dobësi të theksuara në mirëqenien ekonomike dhe barazinë sociale. Krahasuar me rajonin, Kosova kryeson perceptimet pozitive në shumicën e fushave, ndërsa Bosnja dhe Maqedonia e Veriut shfaqin rezultate më pesimiste/ ekofin.al(https://ekofin.al/shqiperia-mbi-mesataren-per-sigurine-dhe-lirine-e-fjales-por-nder-me-te-uletat-per-mireqenien-ekonomike/)
Më të lexuarat









