Mbyllja e qeverisë amerikane prek edhe ambasadën e SHBA-së në Tiranë
Qeveria federale e SHBA-së nisi mbylljen pasi Senati nuk miratoi projektligjin për financimin e përkohshëm.
Qeveria federale e SHBA-së ka nisur procedurat e mbylljes ditën e mërkurë, vetëm disa orë pasi Senati amerikan nuk arriti të miratonte një projektligj afatshkurtër për financimin e përkohshëm të qeverisë.
Kjo shënon mbylljen e parë të qeverisë pas gati shtatë vitesh. Mbyllja e fundit dhe gjithashtu më e gjata e qeverisë federale ndodhi nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të 2019-s, gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.
Si pasojë, Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar kufizim të shërbimeve të këtij institucioni për gjatë një kohe të pacaktuar.
“Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht - me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë - derisa të rinisë veprimtaria e rregullt. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive. Për më shumë informacion mbi shërbimet tona dhe statusin operativ, vizitoni: travel.state.gov,” shkruhet në njoftim. /Scantv