
Hyn në fuqi indeksimi i pensioneve, të gjitha kategoritë që përfitojnë
Nga sot hyn në fuqi vendimi për indeksimin e pensioneve, duke përfshirë të gjitha kategoritë dhe trajtimet e veçanta.
Nga sot hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili parashikon indeksimin e pensioneve, me një sërë kategorish përfitimesh, duke nisur nga pensionet e pleqërisë dhe invaliditetit, e deri tek trajtimet e posaçme financiare për minatorët, pilotët dhe punonjës të tjerë me status të veçantë.
Vendimi nr. 540, datë 29 shtator 2025, u miratua në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjeve themelore për sigurimet shoqërore e pensionet shtetërore suplementare.
Ai përcakton jo vetëm rritjen në masën 2.5% të pensioneve ekzistuese, por edhe garanton që pensionet e reja të caktuara nga 1 tetori 2025 të përfitojnë të njëjtin indeksim.
Gjithashtu, vendimi parashikon kufijtë minimalë e maksimalë të pensioneve, si dhe kompensimet shtesë për kategori të caktuara të përfituesve.
VENDIM
Nr. 540, datë 29.9.2025
PËR INDEKSIMIN E PENSIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 61 e 88, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr. 10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr. 9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr. 8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr. 9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr. 29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr. 129/2021, “Për statusin ‘Fëmijë në përkujdesje të Republikës’”, si dhe të nenit 4, të ligjit nr. 115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Indeksimin, në masën 2.5 për qind, të:
(a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966, nr. 4976, datë 29.6.1972 dhe nr. 7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar;
(b) pensioneve sociale;
(c) shtesës mujore për invalidët e luftës;
(ç) pensioneve sipas dekretit nr. 758, datë 1.2.1994;
(d) shtesave mbi pension sipas nenit 33 dhe neneve 38, 39, 48;
(e) pensioneve sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, me përjashtim të nenit 21;
(ë) trajtimeve financiare të familjeve të pilotëve fluturues;
(f) trajtimeve financiare të efektivave të nëndetëseve dhe palombarëve;
(g) trajtimeve financiare të punonjësve të minierave;
(gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave sipas ligjit nr. 150/2014;
(h) trajtimeve financiare të punonjësve të industrisë ushtarake;
(i) pensioneve suplementare të punonjësve të arsimit dhe kërkimit;
(j) pensioneve suplementare të punonjësve të shtetit dhe funksioneve kushtetuese;
(k) shpërblimit të veteranëve të luftës;
(l) pensioneve shtetërore të posaçme;
(ll) përfitimeve sipas ligjit nr. 29/2019;
(m) trajtimeve financiare sipas neneve 5/1/a dhe 5/1/b;
(n) trajtimit financiar për “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
(nj) shtesës mujore mbi pensionin e invaliditetit sipas VKM nr. 869, datë 18.6.2008.
2. Indeksimin e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.10.2025 e në vazhdim, me kusht që e drejta të ketë lindur deri më 30.9.2025.
3. Pensionet e plota të pleqërisë dhe invaliditetit sipas ligjit nr. 7703, si dhe ato të minierave deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 18 335 lekë/muaj dhe më shumë se 36 670 lekë/muaj.
4. Pensionet e pleqërisë sipas ligjit nr. 4976 dhe paragrafit të dytë të nenit 96, të ligjit nr. 7703, deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 12 554 lekë/muaj dhe jo më shumë se 18 335 lekë/muaj.
5. Pensionet e parakohshme sipas ligjit nr. 10142, nga 1.10.2025, jo më pak se 18 335 lekë/muaj.
6–10. (Përfitimet dhe kompensimet e tjera për pensionistët dhe familjarët sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave).
11. Efektet financiare: 1.14 miliardë lekë (1.106 mld për pagesa përfitimesh + 34 mln për procedura teknike dhe komisione).
12. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet nga 1.10.2025.
KRYEMINISTËR
Edi Rama /ekofin.al
Më të lexuarat









