
Gara për Bashkinë e Tiranës, ja tre emrat potencialë të opozitës si kandidatë
Tre emra diskutohen nga PD dhe aleatët për kandidatin që do sfidojë Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e Tiranës.
Tre janë emrat që po diskutohen në tryezën e PD me aleatët për të zgjedhur kandidatin që do të përballet me Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e Tiranës, ndërsa negociatat e grupit të PD me partitë opozitare do vijojnë edhe në dy ditët në vijim.
Tre figura me profile të ndryshme por me angazhim të përbashkët në çështje publike dhe politike janë shfaqur si zëra të rëndësishëm të opozitës së re në Shqipëri. Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçka janë tre emrat për kandidaturën e Bashkisë Tiranës për PD në zgjedhjet e parakohshme përballë Manasitirlut të socialistëve.
Ermal Hasimja, pedagog dhe analist politik, është një prej emrave më të njohur për qëndrimet kritike dhe analizat e thelluara mbi zhvillimet politike në vend. Ai ka qenë pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në fushatën e vitit 2005 që solli Partinë Demokratike në pushtet. Aktiv në media dhe botën akademike, Hasimja ka ndërtuar një profil të qëndrueshëm si zë kritik dhe i argumentuar në diskursin publik.
Edlira Çepani, është një nga zërat më të spikatur në fushën e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Aktiviste dhe figurë publike, ajo ka qenë pjesë e disa nismave që synojnë fuqizimin e grave në politikë dhe vendimmarrje. E njohur edhe për angazhimin e saj personal dhe familjar në politikë, Çepani është bashkëshortja e të ndjerit Gerti Bogdani, ish-deputet i PD-së, me të cilin ka dy fëmijë.
Florian Haçka, një tjetër figurë e profilit qytetar, ka spikatur përmes angazhimit të tij në çështjen e të drejtës së votës për shqiptarët jashtë vendit. Ai është bashkëthemelues i nismës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe ka qenë aktiv në përplasjet institucionale lidhur me këtë temë, përfshirë një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe përballjen me heqjen e pasaportës shqiptare. Me formim profesional në Zvicër dhe Gjermani, Haçka ka kontribuar edhe në fusha si teknologjia, turizmi dhe menaxhimi.
Këtë të mërkurë opozita ka gjetur konsensusin për kandidat të përbashkët për Tiranën.
Sot, grupi i punës së PD u zhvillua me Partinë Mundësia, të cilët si kusht themelor kanë që kandidati i dalë nga radhët e opozitës të mos jetë një figurë politike.
Pas takimit me PD, deputeti i Partisë Mundësia, ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses, është që emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, të jetë një personazh me integritet mbi palët dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cenon profilin politik dhe më tej të individit.
“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.
Ndërkohë ditën e djeshme në tryezën e presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka mbërritur njoftimi për krijimin e vakancave për 6 bashki në vend, përfshirë dhe kryeqytetin. Shkresa vjen një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, shkarkimin e tij me vendim të qeverisë.
Një akt që sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave, e për pasojë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet. Pikërisht ky nen pengon kreun e shtetit Bajram Begaj që të dekretojë një datë zgjedhjesh për Tiranën.
Nga dje, kreu i shtetit ka afat 48 orë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Në rastin e Tiranës Kreu i Shtetit po ashtu është i lidhur drejtpërdrejtë me nenin 115, i cili në pikën tjetër të tij, pikën 3, shpjegon qartazi veprimet që duhet të ndërmarrë. Atij i lihen vetëm dy mundësi për caktimin e datës së zgjedhjeve, ose kur nuk është ushtruar e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve, ose në rastin kur lihet në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese. /oranews
Më të lexuarat









