Secondary Adv

8000 kg speca djegës nga Shqipëria bllokohen në Kroaci për pesticide të ndaluara

Një tjetër ngarkesë me produkte bujqësore nga Shqipëria është refuzuar nga autoritetet e Bashkimit Europian.

Rreth 8 tonë speca djegës të kuq nga Divjaka janë bllokuar sot në Kroaci, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e tre preparateve bujqësore të ndaluara.

 

Ky rast i fundit hedh edhe një herë dritë mbi problemin e përsëritur të sigurisë ushqimore për produktet shqiptare të eksportuara drejt tregjeve europiane, kryesisht Kroacisë dhe Sllovenisë, ku javët e fundit janë konstatuar disa raste të ngjashme.

 

Tërheqja e specave shqiptarë në Slloveni

Vetëm pak javë më parë, autoritetet sllovene urdhëruan tërheqjen nga tregu të specave të kuq të importuar nga Shqipëria. Analizat laboratorike treguan nivele të larta të pesticideve acetamiprid, formetanate dhe flonicamid, përtej normave të lejuara nga Bashkimi Europian.

 

Ngarkesa ishte shpërndarë në treg mes datave 24 gusht – 4 shtator 2025, dhe kompania importuese u bëri thirrje konsumatorëve që produktin ta kthenin ose ta asgjësonin, duke rekomanduar madje edhe dezinfektimin e duarve për ata që kishin pasur kontakt me specat.

 

Domate me chlorfenapyr, bllokim në Kroaci

Në fillim të shtatorit, Kroacia raportoi një tjetër skandal: rreth 8 tonë domate të eksportuara nga Shqipëria rezultuan me sasi të larta të pesticideve të ndaluara, konkretisht chlorfenapyr.

 

Ngjarja shkaktoi bujë të madhe, pasi policia kroate arrestoi eksportuesin shqiptar dhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Berat, të cilët akuzohen për lëshimin e dokumenteve të rreme të certifikimit dhe për mosmarrjen e mostrave sipas rregullores. Ky rast ngjalli debate të forta për nivelin e kontrollit dhe transparencën e inspektimeve në Shqipëri.

 

Pjeshkë të bllokuara për shkak të nikelit

Gjithashtu, një tjetër rast i evidentuar kohët e fundit ishte ai i pjeshkëve të Divjakës, ku autoritetet kroate bllokuan dhe asgjësuan 5 tonë fruta për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit, një metal i rëndë që përbën rrezik serioz për shëndetin.

 

Ky problem nuk lidhej me pesticide, por tregoi se shqetësimet mbi sigurinë e prodhimeve shqiptare mbeten të gjera dhe përfshijnë edhe elementë të tjerë të ndaluar.

 

Krizë besueshmërie për eksportet bujqësore shqiptare

Këto raste të përsëritura, brenda një harku prej vetëm disa muajsh, kanë shkaktuar jo vetëm humbje ekonomike për fermerët dhe eksportuesit shqiptarë, por edhe një krizë besueshmërie për produktet “Made in Albania” në tregjet europiane.

 

Bashkimi Europian po forcon gjithnjë e më shumë kontrollet në kufi, ndërsa Kroacia dhe Sllovenia janë bërë “pikat e nxehta” ku zbulohet përdorimi i pesticideve të palejuara apo tejkalimi i normave.

 

Ekspertët e bujqësisë theksojnë se Shqipëria rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të tregut të saj nëse nuk përforcohen inspektimet, nuk certifikohen siç duhet produktet dhe nuk ndëshkohen me ashpërsi shkelësit. /ekofin.al


Më të lexuarat