Presidenti dekreton 9 nëntorin si datë të zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki
Presidenti i Republikës ka dekretuar 9 nëntorin 2025 si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit.
Dekreti i Presidentit për zgjedhjet e pjesshme
Presidenti i Republikës dekretoi sot datën 9 nëntor 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale për kryetar të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik. Vendimi erdhi pas njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave më 30 shtator.
Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar pas dorëheqjes së kryetarëve përkatës, ndërsa në Bashkinë Tiranë vakanca u krijua për shkak të shkarkimit të kryetarit nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim erdhi pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili me shumicë të gjerë votash (50 pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Procedura ligjore e ndjekur
Në rastin e Tiranës, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës, duke vlerësuar respektimin e kompetencave të Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Ministrave. Nga dokumentacioni rezulton se vakanca u shpall pas një procesi verifikimi të plotë dhe ligjor.
Këshilli i Ministrave u mbështet në dispozitat ligjore që përcaktojnë se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” është i ndryshëm nga shkarkimi për “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” i parashikuar në nenin 115 të Kushtetutës. Në rastin e parë, juridiksioni i ankimit i përket gjykatave administrative, ndërsa në rastin e dytë, Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkelje të rënda pezullohet nëse ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa vendimet për shkarkime të bazuara në arsye të tjera pezullohen vetëm me urdhër të posaçëm të Gjykatës Administrative.
Mungesa e ankimimit dhe respektimi i afatit kushtetues
Nga praktika dokumentare rezulton se deri në shpalljen e dekretit nuk është paraqitur asnjë ankim në gjykatën kompetente dhe nuk është dhënë vendim pezullimi. Presidenti vuri në dukje se kishte vetëm 48 orë kohë nga marrja e njoftimit për të shpallur zgjedhjet.
Thirrje për pjesëmarrje dhe respektim të procesit zgjedhor
Me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme për gjashtë bashkitë, Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e një fushate konkurruese, etike dhe në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor. Ai ftoi qytetarët e Tiranës, Vlorës, Beratit, Matit, Tepelenës dhe Cërrikut të marrin pjesë masivisht në votim për të garantuar një proces demokratik dhe transparent. /ekofin.al