Nga 7 Tetori hyn në fuqi SEPA, emigrantët do ti transferojnë paratë në Shqipëri për 3 euro
Nga 7 tetori, Shqipëria bëhet pjesë e sistemit SEPA, duke ofruar transfertë më të shpejta, më të sigurta dhe me komisione të ulëta drejt 40 vendeve të tjera.
Shqipëria bëhet pjesë e SEPA më 7 tetor
Më 7 tetor, Shqipëria do të mund të kryejë transfertë të shpejta dhe me komisione shumë më të ulëta drejt 40 shteteve të tjera pjesë të SEPA. Ky hap përkon me harmonizimin e vendit me normat e Bashkimit Europian, duke rritur sigurinë dhe duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët dhe bizneset.
“Ne do të jemi funksionalisht më 7 tetor në SEPA. Ne ulem edhe komisionet në vendimin e fundit, që të jemi në të njëjtën linjë me normat e BE. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i fundit i ka ulur afërsisht dhe 10 herë komisionet në krahasim me nivelet e pak ardhshme të komisioneve. Pra transfertat do të jenë më të shpejta, siguri më të madhe nga sulmet e ndryshme, hakërsa ose sigurie kibernetike dhe komisione mjaft të ulëta”, deklaroi guvernatori Gent Sejko gjatë një konference për shtyp.
Komisionet e reja për transfertat
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri publike shifrat e reja të komisioneve për transfertat elektronike:
-Transfertat në lekë deri në 40.000 lekë – pa komision.
-Nga 40.000 deri në 10 milionë lekë – komisioni 0.005% e vlerës, jo më shumë se 500 lekë.
-Mbi 10 milionë lekë – komisioni fiksohet në 750 lekë.
-Transfertat në euro deri në 100.000 euro – 0.01% e vlerës.
-Mbi 100.000 euro – komisioni nuk kalon 25 euro.
Sipas Sejkos, kjo është një ulje e madhe në raport me të kaluarën, kur komisionet shkonin deri në 280–300 euro.
Lehtësira për emigrantët shqiptarë
Një përfitim i drejtpërdrejtë i sistemit SEPA është edhe lehtësimi i transfertave për emigrantët shqiptarë. Sipas guvernatorit, komisioni maksimal për remitancat do të jetë vetëm 3 euro.
“Për të gjithë shqiptarët që marrin remitanca, që presin euro nga familjarët e tyre, çdo pritje nuk do të harxhohet më shumë se 3€. Pra 0 deri në 3€ do të jetë komisioni për të gjithë transfertat me pritje për shqiptarët”, theksoi Sejko.
Ndikimi në ekonominë shqiptare
Nisja e transfertave përmes SEPA pritet të ketë ndikim pozitiv në reduktimin e përdorimit të parasë cash dhe në rritjen e edukimit financiar. Gjithashtu, ofron siguri më të madhe ndaj rreziqeve kibernetike dhe një sistem më efikas për bizneset dhe individët. /Shqiptarja.com