Impianti diellor në Libohovë, BERZH investon 50 mln euro në obligacionin e GEK TERNA
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) po investon 50 mln € në një obligacion senior të papaguar të emetuar nga GEK TERNA S.A., kompania holding e grupit GEK TERNA në Greqi.
Kompania po zhvillon disa projekte energjetike, ndër të cilat dy në Shqipëri: i pari është një impiant fotovoltaik në Gjirokastër, i cili duket se lidhet direkt me këtë hap të BERZH, dhe i dyti termocentrali i Roskovecit.
Në një njoftim për shtyp, EBRD sqaron se investimi do të përdoret për të mbështetur projektet e GEK TERNA në prodhimin e energjisë së rinovueshme, sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri, infrastrukturën sociale dhe furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza në Greqi, Rumani, Shqipëri dhe Kosovë.
“Të ardhurat totale nga obligacioni do të financojnë aktivitetet biznesore të emetuesit, përfshirë sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe do të përdoren për rimbursimin e borxheve të emetuesit dhe të kompanive të tij nënkontroll, si dhe për shpenzimet e emetimit të obligacioneve,” thuhet në njoftim.
Projektet në Roskovec dhe Libohovë
GEK TERNA është një nga pronaret përfitues te kompanisë Faethon, e cila synon ndërtimin e Centralit Gjenerues të Energjisë Elektrike Fotovoltaike dhe Veprave Ndihmëse në zonën kadastrale 2444, Bashkia Libohovë, Qarku Gjirokastër. Kapaciteti i instaluar 93MW.
Ndërkohë, një projekt tjetër po zhvillohet në Fier. Termocentrali në Roskovec parashikon prodhimin e energjisë nga gazi dhe vjen si pjesë e një bashkëpunimi ndërmjet kompanive: GEK TERNA Holdings, Real Estate & Constructions Societe Anonyme (35% të aksioneve), DEPA COMMERCIAL S.A. (35%) dhe ABA FTE (30%). Kjo e fundit mori aksionet më 3 qershor 2025, duke zëvendësuar Gener 2.
Së bashku, në shoqërinë FIER THERMOELECTRIC SHA synohet ndërtimi dhe funksionimi i një termocentrali me turbinë gazi me cikli të kombinuar (CCGT), me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MW dhe teknologji moderne të prodhimit të energjisë me efikasitet të lartë prej 57% në ngarkesë maksimale.
Vendndodhja e impiantit do të jetë në zonën e Roskovecit, Fier, pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe pranë Rrjetit Elektrik të Tensionit të Lartë. /Monitor(https://monitor.al/impianti-diellor-ne-libohove-berzh-investon-50-mln-euro-ne-obligacionin-e-gek-terna/)