Evropa përballet me rritje të çmimit të kafesë, Shqipëria nuk mbetet pas
Në gusht 2025, çmimi i kafesë në Bashkimin Evropian rezultoi mesatarisht 20,4% më i lartë se në gusht 2024.
Rritja e ndjeshme e këtij produkti, që është pjesë e pandashme e përditshmërisë evropiane, ka reflektuar faktorë të shumtë globalë — nga kushtet klimatike e deri tek kostot e zinxhirit të furnizimit.
Ku u ndje më pak dhe ku më shumë rritja në BE
Rritja e çmimit të kafesë ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Rritjet më të ulëta u shënaun në Portugali (+10,6%), Maltë (+11,3%) dhe Irlandë (+12,1%), ndërkohë rritjet më të larta u shënuan në Estoni (+40,9%), Letoni (+34,2%) dhe Suedi (+29,4%).
Ky diferencim pasqyron jo vetëm politikat e brendshme fiskale, por edhe lidhjen që vendet kanë me importet, kostot e transportit dhe kontratat afatgjata të furnizimit.
Pse po shtrenjtohet kafeja?
Sipas ekspertëve, disa janë arsyet kryesore të këtij trendi: çmimet rekord të kafesë së papërpunuar në bursat ndërkombëtare; ndryshimet klimatike, që kanë dëmtuar prodhimin në Brazili, Kolumbi e vende të tjera kryesore eksportuese; rritja e kostove të transportit dhe energjisë, që ndikon direkt te zinxhiri i furnizimit; politikat mjedisore dhe kërkesat për standarde më të larta gjurmueshmërie, që rrisin koston e importit në BE.
Shqipëria dhe perspektiva e tregut vendas
Edhe në Shqipëri, tregu i kafesë po përjeton tendencën e shtrenjtimit. Të dhënat tregojnë se brenda një viti çmimi i kafesë është rritur rreth 20%, ndërsa bizneset paralajmërojnë se pritet një tjetër rritje me ritëm të ngjashëm në muajt e ardhshëm.
Në kryeqytet, një filxhan kafe kushton mesatarisht 90–130 lekë, ndërsa në lokalet më luksoze arrin deri në 250 lekë. Megjithatë, konsumi nuk pritet të pësojë rënie drastike. Parashikimet flasin për një rritje të lehtë të konsumit të kafesë në vend, duke arritur deri në 8,500 tonë në vitin 2028.
Çfarë pritet më tej?
Tregjet ndërkombëtare sinjalizojnë se gjatë vitit 2026 çmimet e kafesë mund të ulen lehtë, nëse kushtet klimatike përmirësohen dhe prodhimi global stabilizohet. Por deri atëherë, konsumatorët shqiptarë do të vazhdojnë të përballen me një filxhan kafe gjithnjë e më të shtrenjtë. /ekofin.al