Secondary Adv

20 mijë shqiptarë në vit marrin leje pune në BE, në 3 vjet u larguan 13 për qind e të punësuarve

Emigracioni shqiptar po merr gjithnjë e më shumë formën e lejeve të punës zyrtare në vendet e BE-së, duke zëvendësuar kërkesat për azil.

Nga azili drejt lejeve të punës

Ndërsa kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, emigracioni tashmë po bëhet më i rregullt dhe i ligjshëm. Shumë individë po largohen përmes kontratave të punës, siç dëshmojnë shifrat e Eurostat mbi lejet e qëndrimit dhënë për herë të parë.

 

Numri i shqiptarëve që marrin leje pune ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Vetëm gjatë periudhës 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, nga vetëm 3-4 mijë një dekadë më parë.

 

72 mijë leje pune në tre vite

Që prej vitit 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Kjo shifër përfaqëson rreth 13% të të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor sipas INSTAT, duke reflektuar përmasat e larta të emigracionit zyrtar.

 

Ikja në këto nivele ka krijuar një mungesë të dukshme të fuqisë punëtore në Shqipëri, e cila po vështirëson aktivitetin e përditshëm të bizneseve dhe po pengon planet e tyre për zgjerim me investime të reja. Numri më i lartë i lejeve u regjistrua në vitin 2022 me 22 mijë, ndërsa në vitet 2023-2024 janë dhënë rreth 18-19 mijë leje çdo vit.

 

Destinacionet kryesore: Greqia, Gjermania dhe Italia

Në vitin 2015, vetëm 4.5% e lejeve të qëndrimit në BE për shqiptarët jepeshin për arsye pune, ndërsa pjesa më e madhe ishte për bashkim familjar. Pas vitit 2016 nisi një valë e re emigracioni, e orientuar drejt punësimit.

 

Në vitin 2024, 29% e lejeve u dhanë për punësim, 51% për arsye familjare, 3.1% për studime dhe 17% për arsye të tjera. Greqia kryeson me 7.2 mijë leje pune, e ndjekur nga Gjermania me rreth 4.5 mijë leje në vit, ku kërkesa më e lartë është për infermierë, mjekë dhe IT specialistë. Italia jep rreth 3 mijë leje pune çdo vit.

 

Edhe Kroacia po tërheq gjithnjë e më shumë punonjës në ndërtim dhe turizëm, me 1.4 deri në 2 mijë leje pune në vit. Malta ka qenë një destinacion i preferuar, por në 2024 numri i lejeve të dhëna ra në rreth 500. Franca, megjithëse kryeson për kërkesat e azilit, jep mesatarisht vetëm 400-500 leje pune në vit.

 

Lejet e punës tejkalojnë kërkesat për azil

Emigracioni përmes lejeve të punës tashmë është pothuajse dy herë më i lartë se ai përmes azilit. Në vitin 2022 u regjistruan 15 mijë kërkesa për azil nga shqiptarët, në 2023 ato ranë në 11 mijë dhe në 2024 zbritën në 9.3 mijë. Kjo tregon se ikja nuk është më e lidhur me kërkesa humanitare, por me migracionin ekonomik të ligjshëm dhe të organizuar. /Monitor(https://monitor.al/rreth-20-mije-shqiptare-ne-vit-moren-leje-pune-ne-be-ne-tre-vjet-iken-13-e-te-punesuarve-ne-vend/)


Më të lexuarat