Secondary Adv

Rehabilitimi i kanalizimeve në Durrës, 1.3 mln euro për ndërhyrjet

Rrjeti i kanalizimeve në disa zona të Durrësit do të rehabilitohet me një investim prej 1.3 milionë eurosh, për të përmirësuar shërbimin dhe funksionimin e sistemit.

Detajet e projektit dhe zona e ndërhyrjes

Projekti përfshin ndërhyrje në pjesën verilindore të qytetit, pranë Tregut të Madh Industrial, duke përfshirë rrugët ‘Dalip Peza’, ‘Ahmet Dakli’, ‘Glaukia’, ‘Malo Xheneti’, ‘Ksanthipi Syko’ dhe përfundon pranë Stacionit të Pompave nr. 7 në rrugën ‘Hysen Kërtusha’. Fondi limit i projektit është rreth 1.3 milionë euro.

 

Karakteristikat e sistemit të kanalizimeve

Sistemi i kanalizimeve në Durrës është i veçantë, pasi ujërat lëvizen me ngritje mekanike përmes stacioneve të pompimit. Kjo është e nevojshme për shkak të pjerrësisë së pamjaftueshme të tubacioneve, që e bën të pamundur rrjedhjen natyrale drejt kolektorëve kryesorë. Stacionet e pompave garantojnë një shfrytëzim efikas të rrjetit.

 

Në zonën e ndërhyrjes, si në të gjithë qytetin, ujërat e ndotura dhe ujërat e bardha derdhen në të njëjtin kolektor, për shkak të vjetërsisë dhe kompleksitetit të sistemit. Kolektorët aktualë punojnë me kapacitet të reduktuar dhe shpesh shkaktojnë dalje të ujërave në sipërfaqe.

 

Stacioni kryesor i pompimit dhe ndikimi në komunitet

Ujërat e ndotura të kësaj zone grumbullohen në Stacionin kryesor të Pompimit nr. 7/1, i ndërtuar në vitin 2019 me investimet e Bankës Botërore. Ky stacion përpunon edhe ujërat nga pjesa veriore dhe perëndimore e qytetit. Projekti shtrihet në një zonë ku jetojnë rreth 5 mijë banorë rezidentë dhe qarkullojnë rreth 1 mijë persona në ditë.

 

Ndërhyrjet synojnë të zgjidhin problematikat e vjetra, të përmirësojnë efikasitetin e rrjetit dhe të përshtatin sistemin e kanalizimeve me zgjerimin urban të qytetit. /Monitor(https://monitor.al/rehabilitimi-i-kanalizimeve-ne-durres-1-3-milione-euro-per-nderhyrjet/)


Më të lexuarat