Secondary Adv

Kryeministri prezanton masat, nga forcimi i territorit te mbrojtja e hapësirave publike

Kryeministri Edi Rama prezanton masat e qeverisë për forcimin e kontrollit të territorit, mbrojtjen e hapësirave publike dhe ndëshkimin e ndërtimit të paligjshëm.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, po mbajnë një konferencë për mediat, ku po prezantohen masat e marra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike nga zaputesit, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit, si edhe ndëshkimin me forcë të ndërtimtarisë së paligjshme.

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, me ndryshimet ligjore, do të rritet garancia për zbatimin e projekteve arkitekturore përmes detyrimit që një arkitekt të jetë i përfshirë në procesin e realizimit të punimeve.

 

“Duke filluar nga rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore, përmes përfshirjes detyruese me ligj të arkitektit përgjegjës në procesin e zbatimit të punimeve. Për shkak se arkitektët janë në trysni nga ndërtuesit për të bërë devijime nga projekti dhe ndërkohë nuk janë subjekt i ligjit, kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit duke e kthyer arkitektin në subjekt të ligjit dhe duke e ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së projektit, bëhet e pamundur që çfarëdo presioni nga ndërtuesi të funksionojë mbi arkitektin pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë është ai që paguan pasojat. Po ashtu, një tjetër risi është formalizimi i mënyrës së njoftimit, duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe mbikëqyrëse para fillimit të çdo punimi, që procesi të jetë i gjurmueshëm dhe i dokumentuar. “, tha Rama.

 

RISITË MBI NDRYSHIMET NË LIGJIN NR. 8402 DATË 10.09.1998 “PËR KONTROLLIN DHE DISIPLINIMIN E PUNIMEVE TË NDËRTIMIT”, I NDRYSHUAR

 

1.Rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese të një arkitekti përgjegjës gjatë procesit të zbatimit të punimeve

 

2.Formalizmin e mënyrës së njoftimit duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe autoritetet mbikëqyrëse përpara fillimit të çdo lloj punimi në mënyrë që procesi të jetë i gjurmueshëm dhe i dokumentuar

 

3.Përcaktime të qarta mbi fazat e kontrollit, duke i ndarë qartë fazat e kontrollit gjatë gjithë periudhës së zbatimit të punimeve, me kontrollin në kohë të projekteve të miratuara

 

4.Forcimi i mekanizmave të kontrollit duke përcaktuar 6 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore

 

5.Detyrimi i dhënies së Certifikatës së përdorimit nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të akt kontrollit nga njësia e vetëqeverisjes vendore për fazën e përfundimit të fasadave, rifiniturave dhe sistemit të jashtëm në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar

 

6.Detyrimi i lidhjes së njësive me rrjetet e infrastrukturës së ujit dhe energjisë elektrike në objekt vetëm pas pajisjes së tij me certifikatë përdorimi.

 

“Më tutje është përcaktimi i fazave të kontrollit, duke ndarë qartë çdo fazë në periudhën e zbatimit të punimeve me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky është një aspekt që ka çaluar shumë deri sot, më tutje është forcimi i mekanizmit të kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së detyrimit, i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të aktit kontrollit nga qeveria e vetëqeverisje vendore, dhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit, në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar. Uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. E keni parasysh që arsyeja pse njerëzit mbetem pa hipotekë është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga Bashkitë është kontestuar të jetë e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi”, tha Rama.

 

MBI NDRYSHIMET NË LIGJIN NR. 107/2014 “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT” I NDRYSHUAR

 

1.Rregullimi, inventarizimi dhe regjistrimi i hapësirave publike

 

2.Krijimi i Regjistrit Kombëtar Elektronik të Lejeve të Zhvillimit/Ndërtimit

 

3.Krijimi i Listës së zezë dhe ndalimi për të aplikuar për leje ndërtimi i shkelësve të lejeve

 

4.Monitorimi i territorit nëpërmjet teknologjisë, përdorimi i kamerave, dronëve dhe sistemeve GPS për monitorimin e ndërtimit dhe kontrollin në kohë reale të zbatimit të lejeve të ndërtimit

 

5.Krijimi i Fondit të Gjelbër, duke përcaktuar detyrimin që subjektet zhvilluese duhet të mbjellin pemë në raport me sipërfaqen e ndërtimit

 

6.Është sanksionuar ndalimi i ndryshimit të aktivitetit/funksionit/destinacionit të një objekti apo njësie pa marrë lejen përkatëse nga autoriteti përgjegjës

 

7.Regjistrimi i lejeve të ndërtimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe njoftimit të Dhomës Kombëtare të Noterisë

 

8.Është parashikuar detyrimi që lejet e ndërtimit për objektet rezidenciale duhet të përfshijnë edhe përdorimin e hapësirës për fëmijët

 

9.Parashikohen rregulla të qarta për konfiskimin për interes publik apo strehim social

 

10.Punimet e filluara dhe të papërfunduara, për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej më shumë se 5 vjetësh, mund të prishen, konfiskohen apo të vendoset procedura për përfundimin e punimeve

 

11.Muret rrethuese të shtëpive

 

12.Ankimimi administrativ dhe gjyqësor nuk pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të autoritetit përgjegjës të zhvillimit të territorit

 

13.Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të kontrollit të territorit, duke rritur rolin e Policisë së Shtetit në kontrollin dhe monitorimin e territorit

 

14.Parashikime të reja për rastet e moszbatimit të fasadave sipas projekteve të miratuara

 

15.Masa ndëshkuese për punonjësit e administratës shtetërore në rast se kryejnë punime pa leje.

 

16.Parashikime të reja mbi miratimin në heshtje, në rast mosveprimi të autoriteteve të zhvillimit të territorit

 

17.Përforcimi i detyrimit që subjektet zhvilluese të mbulojnë shpenzimet për prishje dhe pastrimin e inerteve

 

18.Ashpërsimi i sanksioneve dhe masave administrative.

 

“Deri më sot nuk ka ekzistuar regjistrimi i hapësirave publike, ndërsa me këtë masë të re hyn në fuqi detyrimi për regjistrimin e tyre. Kur kemi një zhvillim ndërtimor mbi një pronë private, për një godinë që iu shitet familjeve apo bizneseve, çdo metër katror rreth godinës konsiderohet hapësirë publike. Në këtë sipërfaqe nuk mund të ketë zhvillime të tjera apo leje shtesë për privatët.

 

Ky rregullim e bën shumë të qartë situatën si për ata që kanë zaptuar hapësira publike, ashtu edhe për gjykatësit që u japin të drejtë zaptuesve. Në këto hapësira mund të mbillen pemë ose të krijohen lulishte, por pa sjellë asnjë përfitim privat, pasi ato janë hapësira komunitare”, deklaroi Rama.

 

Gjithashtu, do të krijohet Regjistri Kombëtar Elektronik i Lejeve të Zhvillimit dhe Ndërtimit, i cili do të shërbejë si pikë referimi e unifikuar për të gjitha lejet.

 

“Lista e zezë do të përfshijë zhvilluesit, shoqëritë dhe individët që kanë shkelur ligjin, duke përfshirë administratorët, ortakët dhe pronarët. Të gjithë këta, në rast shkeljeje, do të përjashtohen nga e drejta për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare”.

 

MBI NDRYSHIMET NË LIGJIN NR. 9780, DATË 16.07.2007 “PËR INSPEKTIMIN DHE MBROJTJEN E TERRITORIT NGA NDËRTIMET E KUNDËRLIGJSHME” I NDRYSHUAR

 

1.Monitorimi i lejeve në kompetencë të KKTU nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit

 

2.Propozimi i gjobave nga Sekretariati Teknik i KKTU-së pranë autoriteteve të inspektimit në rast të konstatimit të shkeljeve të lejeve të ndërtimit në kompetencë të KKTU-së

 

3.Përcaktimi i të paktën një inspektori si person përgjegjës që ka për detyrë të monitorojë dhe kontrollojë zbatimin e projektit gjatë gjithë procesit të zbatimit të punimeve deri në kolaudimin përfundimtar të ndërtimit

 

4.Ankimimi administrativ ndaj vendimit të trupës nuk pezullon ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të trupave inspektuese.

 

5.Largimi nga detyra dhe kallëzimi penal për inspektorët në rastet e konstatimeve të shkeljeve gjatë ushtrimit të detyrës

 

6.Ashpërsimi i masave administrative dhe penaliteteve.

 

Të gjitha masat janë fuqi sot që flasin, deklaroi kreu i qeverisë. /Monitor(https://monitor.al/kryeministri-prezanton-masat-nga-forcimi-i-territorit-te-mbrojtja-e-hapesirave-publike/)


Më të lexuarat