Nga konfiskimet te prishja e mureve rrethuese, miratohet paketa ligjore për mbrojtjen e territorit
Qeveria ka miratuar një paketë të re ligjore në kuadër të reformës për mbrojtjen e territorit, e cila parashikon masa të forta ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit në fushën e ndërtimit.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, bëri publike aktet ligjore të miratuara në kuadër të reformës për mbrojtjen e territorit.
Në fokus të deklaratës së Kryeministrit ishin problematikat në fushën e ndërtimit, që nga shkeljet e lejeve të ndërtimit, tejkalimi i kateve dhe fasadave të miratuara, deri te ndërtimet pa leje në oborre nga resortet, bizneset dhe familjarët.
“Çdo ndërtim që tejkalon lejen mbi 2%, sipas standardeve ndërkombëtare të tolerancës, do të konfiskohet për interes publik ose për strehim social. Në rast të tejkalimeve deri në 10%, konfiskohet vetëm shtesa, dhe ajo do të përdoret për zyra shtetërore ose për strehim të të pastrehëve.
Për ndërtimet pa leje mbi 10% të sipërfaqes së lejuar, konfiskohet i gjithë ndërtimi.
Objektet e papërfunduara me vite, të nisura jashtë afateve dhe të lëna në mes, do të prishen, konfiskohen, ose do t’u jepet mundësia për përfundim nëse pronari paraqet garanci të qarta.
Një Vendim i Këshillit të Ministrave përcakton procedurën e plotë të zbatimit të këtyre masave, përfshirë kontrollin, verifikimin dhe ndërhyrjen në terren.
Akti që kemi kaluar përcakton gjithashtu që edhe muret rrethuese duhet t’i nënshtrohen modeleve TIP. Shqipëria europiane nuk mund të jetë pa një model të caktuar. Muret rrethuese duhet të adaptohen sipas modeleve tip që do të shpërndahen nga bashkitë.
Për muret rrethuese të shtëpisë do të ketë mirëkuptime me banorët deri sa ato të adaptohen sipas planit të caktuar.
Çdo mur rrethues në resorte dhe pallate i bërë pa leje për qëllime fitimi do të prishin. Në jug të vendit muret kanë tendencën të gllabërojnë treçerekun e trotuarit.
Kryeministri Rama tha se edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje.
“Mjafton që të marrë 1 euro nga taksat, ka kryer ndërtim pa leje qoftë të përkohshme apo të përhershme, do të ndalojë të punojë në shtet për 7 vite nga momenti i konstatimit dhe njoftimit të masës. Përveç dënimit administrativ do të ketë edhe dënim penal, pas hyrjes në fuqi të Kodit të Ri Penal.
Po ashtu subjektet që kapen në shkelje do të paguajnë shpezimet e prishjes dhe për pastrimin e mjedisit”. /Monitor(https://monitor.al/nga-konfiskimet-te-prishja-e-mureve-rrethuese-miratohet-paketa-ligjore-per-mbrojtjen-e-territorit/)