Kryeministri paralajmëron rritje pagash për zjarrfikësit, sipas formulës së Forcave të Armatosura
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura.
Në aktivitetin për kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformimit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit në Farkë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Rama u shpreh se, “zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje”.
Rama u shpreh se, “zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura, të cilat sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave, me synimin që në Shqipërinë 2030 ne të kemi një Forcë të Armatosur të republikës së Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s”.
Sot, vijoi kreu i qeverisë, “kemi Forcat e Armatosura më të mirëpaguara të rajonit, ndërkohë që kur e kemi nisur këtë proces kishim Forcat e Armatosura më të keqpaguara të kontinentit tonë”.
“Në këtë formulë do të fusim edhe zjarrfikësit, për të cilët do të bëjmë një rritje të vazhdueshme të pagës”, tha Rama.
“Është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, për të gjithë është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme edhe për punonjësit e policisë, por theksoi ai, “e vërteta është që ndaj zjarrfikësve kemi një borxh që nuk mund ta lëmë të thellohet, pasi ndërkohë që ata përballen me një sfidë kolosale, gjithmonë e më të madhe çdo stinë vere, pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide”.
Rama u shpreh se nuk është vetëm çështje pagash, por shtoi ai, “është një plan i tërë për modernizimin e mëtejshëm dhe për rritjen e kapaciteteve të gjithë trupës tonë të zjarrfikësve”. /Ekofin.al