Niveli më i lartë historik, Shqipëria ka 7 mld euro rezerva valutore, por euro vijon rënien
Euro ka shënuar një tjetër rekord rënieje në shtator, duke u këmbyer në kufijtë e 97 lekëve, ndërsa rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë ka arritur nivelin më të lartë historik prej 7 miliardë euro.
Euro në nivelin më të ulët historik
Muaji shtator u mbyll me një zhvlerësim të mëtejshëm të euros, e cila tashmë po qarkullon në treg në vlerat 96–97 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga hyrja në qarkullim e monedhës evropiane dhe sinjalizon një “normalitet të ri” në tregun valutor shqiptar.
Në fund të vitit 2024, kursi i këmbimit varionte nga 100 deri në 102 lekë për euro, ndërsa sot kufiri i ri i tregut është afërsisht 97 lekë, me raste sporadike që zbresin deri në 96 lekë.
Rekord historik i rezervës valutore
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gusht 2025 rezerva valutore arriti për herë të parë vlerën 7.09 miliardë euro, duke u rritur me 1.28 miliardë euro krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Rritja u ndikua nga blerjet e valutës në treg për të frenuar zhvlerësimin e monedhës së përbashkët evropiane dhe nga eurobondi i emetuar në fillim të vitit, që solli fluks shtesë valutash në sistemin financiar.
Komponentët kryesorë të rezervës janë:
5.3 miliardë euro në letra me vlerë,
317 milionë euro në ar,
dhe pjesa tjetër në depozita e monedha të huaja.
Rezerva, tre herë më e lartë se një dekadë më parë
Në dhjetor të vitit 2015, rezerva valutore ishte vetëm 2.88 miliardë euro, çka do të thotë se brenda një dekade është më shumë se trefishuar. Kjo rritje e konsiderueshme ka forcuar kapacitetin e Bankës së Shqipërisë për të përballuar krizat valutore dhe për të garantuar stabilitet financiar.
Sipas raportit të stabilitetit financiar, rezerva aktuale mbulon 7.3 muaj importe mallrash dhe shërbimesh, një tregues që e pozicionon vendin në një nivel të sigurisë monetare shumë të qëndrueshëm.
Ndërhyrjet për stabilizimin e kursit
Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2025-ës, Banka e Shqipërisë bleu 72.7 milionë euro në treg për të frenuar rënien e shpejtë të euros. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, monedha evropiane vijon të qëndrojë në nivel të ulët, si pasojë e prurjeve të larta valutore nga eksportet, turizmi dhe remitancat.
Ekspertët paralajmërojnë se presioni për forcimin e lekut mund të vazhdojë, duke krijuar sfida për eksportuesit dhe për sektorët që operojnë me të ardhura në valutë. /Shqiptarja