Secondary Adv

Bashkitë mblodhën 22 mln euro më pak në 8 mujor, Qeveria: Formula e financimit do ndryshojë

Viti 2025 ka rezultuar sfidues për pushtetin vendor, pasi bashkitë po përballen me rënie të të ardhurave nga taksat lokale dhe me vështirësi në realizimin e investimeve.

Të ardhurat e bashkive në rënie

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tetëmujorin e parë të vitit 2025 bashkitë kanë mbledhur 252.9 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 22.7 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u mblodhën 275.6 milionë euro.

Edhe krahasuar me planin vjetor, të ardhurat janë më të ulëta me 5.1 milionë euro.

 

Burimet kryesore të rënies janë taksat dhe tatimet lokale, veçanërisht taksat mbi pasuritë e paluajtshme, ku 61 bashkitë e vendit nuk kanë arritur të realizojnë planin me 3.4 milionë euro. Kjo ndodhi pavarësisht rritjes së aktivitetit turistik, që zakonisht ndikon pozitivisht në arkëtimet vendore.

 

Shpenzime nën pritshmëri dhe investime të ngadalta

 

Përveç të ardhurave të ulëta, bashkitë po përballen edhe me vështirësi në realizimin e shpenzimeve. Në tetë muajt e parë të vitit, shpenzimet arritën në 516 milionë euro, ose 46.6 milionë euro më pak se plani.

 

Në terma për frymë, kjo do të thotë se bashkitë kanë shpenzuar rreth 214 euro për çdo qytetar gjatë tetëmujorit, shumë më pak se nevojat reale për shërbime dhe investime.

 

Reforma e re territoriale në horizont

 

Qeveria ka paralajmëruar se brenda vitit 2027 do të ndërmarrë një ndarje të re territoriale, duke rishikuar reformën administrative të vitit 2014 që e ndau Shqipërinë në 61 bashki. Kjo nismë vjen për të adresuar problemet e qëndrueshmërisë financiare dhe menaxhimit vendor që reforma e parë nuk arriti t’i zgjidhte plotësisht.

 

Rishikim i formulës së financimit për bashkitë

 

Në programin qeverisës 2025–2029 është parashikuar rishikimi i formulës së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë. Aktualisht, ajo ndahet në bazë të numrit të popullsisë, dendësisë, numrit të nxënësve dhe funksioneve të njësive vendore, si arsimi, vaditja, administrimi pyjor, mbrojtja nga zjarret dhe mirëmbajtja e rrugëve rurale.

 

Po ashtu, qeveria planifikon të forcojë grantin e performancës, duke e lidhur mbështetjen financiare me efikasitetin dhe rezultatet e arritura nga bashkitë.

 

Akademia e Pushtetit Vendor

 

Në kuadër të forcimit të kapaciteteve vendore, qeveria do të krijojë Akademinë e Pushtetit Vendor, një qendër trajnimi dhe zhvillimi profesional për mbi 4 mijë punonjës të administratës vendore.

Synimi është të rritet cilësia e menaxhimit financiar dhe të përmirësohet aftësia e bashkive për të mbledhur të ardhura dhe për të zbatuar projekte investimi.

 

TË ARDHURAT E BASHKIVE

Janar-Gusht 2024      275.6 mln euro

Janar-Gusht 2025      252.9 mln euro

Diferenca             -22.7 mln euro

 

TË ARDHURAT E PUSHTETIT VENDOR

Plani 8-mujor         258 mln euro

Realizimi 8-mujor     253 mln euro

Diferenca             -5 mln euro

 

SHPENZIMET E PUSHTETIT VENDOR

Plani 8-mujor            562.6 mln euro

Realizimi 8-mujor        516 mln euro

Diferenca                -46.6 mln euro

/Shqiptarja


Më të lexuarat