Secondary Adv

Tronditet qeveria franceze, jep dorëheqjen kryeministri Sebastien Lecornu

Qeveria e re franceze, e formuar vetëm mbrëmjen e djeshme, ka rënë menjëherë pas betimit.

Kryeministri Sébastien Lecornu paraqiti dorëheqjen e tij në Pallatin Élysée mëngjesin e së hënës, e pranuar nga Presidenti Emmanuel Macron.

 

Një krizë pa precedentë politike në Francë

 

Dorëheqja e Lecornu-s shënon një situatë të paprecedentë në politikën franceze, duke hapur një periudhë pasigurie të thellë. Macron përballet tani me dy alternativa: të ndryshojë plotësisht linjën politike, duke emëruar një kryeministër nga e majta – me shumë pak gjasa për mbështetje parlamentare – ose të pranojë mungesën e shumicës dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Përplasjet e brendshme në kampin e djathtë

 

Sipas mediave franceze, dorëheqja e Lecornu-s ishte e parashikueshme. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, udhëheqës i republikanëve, kishte paralajmëruar pakënaqësinë e thellë brenda partisë. Lecornu, që konsiderohej një aleat i ngushtë i Macron-it, u përball me një ultimatum nga republikanët: ose largohej Bruno Le Maire – ish-ministri i Financave i emëruar papritur në Ministrinë e Mbrojtjes – ose ata do të braktisnin qeverinë.

 

Në vend të kësaj, vetë Lecornu zgjodhi të largohej, duke i dhënë fund qeverisë më jetëshkurtër të Republikës së Pestë.

 

Bruno Le Maire, figura që ndezi krizën

 

Emërimi i Bruno Le Maire është parë si pika e shpërthimit të krizës. Dikur anëtar i partisë republikane, ai u bashkua me Macron-in në vitin 2017 dhe është konsideruar prej shumë kolegëve si “tradhtar politik”. Si ministër i Financave për shtatë vite, ai shihet si bashkëpërgjegjës për rritjen e borxhit publik francez në 3.500 miliardë euro – një mijë miliardë më shumë gjatë mandatit të tij.

Kritikët e cilësuan rikthimin e tij në qeveri si “një gjest përbuzës ndaj francezëve”.

 

Reagimet politike dhe vala e kritikave

 

Reagimet ndaj dështimit të qeverisë Lecornu ishin të menjëhershme dhe të ashpra në të gjitha spektrat politike.

 

Gabriel Attal, ish-kryeministër makronist, e quajti situatën “një spektakël të trishtë”.

 

Boris Vallaud, kreu i socialistëve në Asamblenë Kombëtare, akuzoi makronistët për “kokëfortësi që po e çon vendin drejt kaosit”.

 

Marine Le Pen, udhëheqëse e ekstremit të djathtë, e quajti qeverinë “patetike”, ndërsa Éric Ciotti, ish-gollist tashmë në kampin e saj, paralajmëroi “pasoja politike të pashmangshme”.

 

Jean-Luc Mélenchon, lideri i së majtës radikale France Insoumise, ironizoi në X: “E gjithë kjo, për këtë? Qeveria Lecornu është një kortezh mbijetuesish që vazhdon të zbatojë të njëjtat politika që kanë sjellë vuajtje dhe dëme ekologjike.”

 

Marine Tondelier, sekretare e të Gjelbërve, kritikoi Macron-in dhe aleatët e tij për “përbuzjen ndaj demokracisë dhe paaftësinë qeverisëse”.

 

Franca përballet me pasiguri të re politike

 

Me dorëheqjen e Lecornu-s, Franca futet në një fazë të re paqartësie. Macron mbetet mes dy rrugëve të vështira: ose të përpiqet të krijojë një aleancë të re politike, ose të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

 

Në çdo rast, kriza aktuale konfirmon përçarjen e thellë të peizazhit politik francez dhe vështirësinë e Macron-it për të gjetur stabilitet pas tre qeverive të dështuara në vetëm një vit. /Corriere della sera


Më të lexuarat