Secondary Adv

Berisha: Florjan Binaj është kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës

Partia Demokratike ka zyrtarizuar mbështetjen për Florian Binajn si kandidatin e saj në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu.

 

Florian Binaj, kandidati i PD-së për Tiranën

 

Sipas Berishës, zgjedhja e artistit të njohur Florian Binaj si kandidat për kryetar bashkie përfaqëson një vendim që synon të afrojë opozitën me qytetarët dhe me kauzat qytetare.

 

“Ftoj aleatët dhe opozitarët, qytetarët, të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”, – deklaroi Berisha.

 

Ai theksoi se Binaj është një figurë publike me reputacion të gjerë, që ka fituar besimin e qytetarëve përmes angazhimit të tij në mbrojtje të interesit publik.

 

Berisha: “Një personalitet që mbron kauzat qytetare”

 

Në fjalën e tij, kreu i PD-së e përshkroi Florian Binajn si një artist të suksesshëm dhe aktivist të kauzave qytetare, i cili ka treguar kurajë për të denoncuar padrejtësitë dhe korrupsionin.

 

“Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Ai dhe ekipi i emisionit ‘Piranjat’ kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër korrupsionit,” – u shpreh Berisha.

 

Berisha kujtoi se emisioni investigativ “Piranjat”, i drejtuar nga Binaj dhe bashkëpunëtorët e tij, është ndër më të ndjekurit në vend dhe ka kontribuar në ekspozimin e rasteve të abuzimit me pushtetin.

 

“Edi Rama, i tmerruar nga zëri i tyre kritik, i përzuri nga televizioni ABC, por ata vijuan punën në SYRI TV,” – tha më tej Berisha.

 

Thirrje për bashkim të opozitës

 

Berisha u bëri thirrje aleatëve të opozitës dhe qytetarëve të Tiranës që të bashkohen në mbështetje të kandidaturës së Florian Binajt, duke e cilësuar atë si një figurë që përfaqëson shpresën për ndryshim dhe integritet publik.

 

“Shpresoj që aleatët dhe opozitarët të bashkohemi në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten qytetarët e Tiranës,” – theksoi ai.

 

Kush është Florian Binaj

 

Florian Binaj është një aktor dhe moderator i njohur, i cili u bë i famshëm për rolet e tij në spektakle televizive dhe më pas si drejtues i emisionit investigativ “Piranjat”.

 

Prej vitesh, ai është angazhuar në denoncimin e problemeve sociale, abuzimeve dhe korrupsionit, duke fituar mbështetjen e gjerë të publikut si një zë kritik ndaj pushtetit. /Ballkan Web


Më të lexuarat