Secondary Adv

Në 4 vitet e fundit u mbyllën 104 shkolla 9-vjeçare, tkurren me 14 për qind dhe nxënësit

Në katër vitet e fundit, rrjeti arsimor publik është tkurrur ndjeshëm: janë mbyllur 104 shkolla 9-vjeçare dhe numri i nxënësve ka rënë me 14 për qind.

Tkurrje e ndjeshme në arsimin 9-vjeçar

Ndërmjet viteve 2020 dhe 2024, në të gjithë vendin janë mbyllur 10% e shkollave të arsimit 9-vjeçar në sistemin publik, ndërsa numri i nxënësve në këtë cikël ka rënë me 14% gjatë së njëjtës periudhë.

 

Në vitin 2024, në Shqipëri funksiononin 1,127 shkolla të arsimit 9-vjeçar, ose 104 më pak se në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT.

 

Qarku Kukës udhëheq për mbylljet

Në rang kombëtar, Kukësi mban rekordin me mbylljen e 22% të shkollave 9-vjeçare në qark, i ndjekur nga Gjirokastra dhe Korça, me rënie përkatësisht 16% dhe 15%. Tendenca e tkurrjes është e dukshme edhe në Lezhë, Shkodër dhe Elbasan, ku numri i shkollave ka rënë me rreth 14%.

 

Në të kundërt, Tirana mbetet zona më e qëndrueshme, me një shtim prej tre shkollash gjatë katër viteve të fundit, duke reflektuar rritjen demografike dhe përqendrimin e popullsisë në kryeqytet. Edhe Vlora ka regjistruar një përqindje të ulët mbylljesh (5.3%), ndërsa në Durrës numri i shkollave ka mbetur i pandryshuar.

 

Më pak nxënës në të gjithë vendin

Gjatë periudhës 2020–2024, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar është ulur me 36.8 mijë, ose 14.2%. Fieri dhe Elbasani janë ndër qarqet më të prekura në vlerë absolute, me më pak se 10 mijë nxënës së bashku.

 

Korça dhe Dibra raportojnë tkurrje të ndjeshme, me mbi 3 mijë nxënës më pak secila, ndërsa Kukësi humbi mbi 1,400 nxënës dhe 12 shkolla brenda katër viteve. Në përqindje, Dibra ka pësuar rënien më të madhe të numrit të nxënësve (28.6%), e ndjekur nga Berati (25.7%) dhe Fieri (24%).

 

Edhe Tirana, pavarësisht rritjes së infrastrukturës arsimore, ka regjistruar rreth 3 mijë nxënës më pak se në vitin 2020, me një tkurrje prej 3.5%.

 

Rritje e mësuesve dhe e shpenzimeve

Ndërkohë që rrjeti arsimor dhe numri i nxënësve janë tkurrur, numri i mësuesve është rritur me mbi 2,100. Ky ndryshim lidhet me riorganizimin e stafit arsimor dhe zhvendosjen e burimeve njerëzore drejt zonave urbane.

 

Pavarësisht rënies së ndjeshme të nxënësve, shpenzimet për arsimin janë rritur. Megjithatë, rritja e fondeve për një numër më të vogël nxënësish nuk është reflektuar në përmirësim të cilësisë. Testimet ndërkombëtare PISA për 15-vjeçarët shqiptarë kanë treguar rënie të fortë të njohurive gjatë periudhës 2018–2022. /Monitor(https://monitor.al/ne-4-vitet-e-fundit-u-mbyllen-104-shkolla-9-vjecare-tkurren-me-14-dhe-nxenesit/)


Më të lexuarat